E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi nis shkëputjen, Juve “bie” në Kaljari

TIRANE- Duket shumë e vështirë të mundësh këtë Inter. Zikaltërit e Murinjos e kanë lënë pas humbjen poshtëruese me Barcelonën në mesjavë dhe dje janë rikthyer te fitorja, duke mundur 1-0 Fiorentinën e Çezare Prandelit. Ndeshja është zhbllokuar vetëm në minutën e 40-të të pjesës së dytë, kur Diego Milito shndërroi në gol një penallti të fituar nga vetë ai. Megjithatë, Interi ka qenë dominues në harkun e 90 minutave, duke krijuar raste pafund. Madje, arbitri i ka anuluar një gol mëse të rregullt të shënuar nga Samuel në fillimin e pjesës së dytë. Më tej, Milito ka qenë i vetëm me Frein, por nuk ka mundur të shënojë. Në fund, gjithçka mund të kishte ndryshuar, pasi Xhilardino doli i vetëm me Zhulio Cesar, por goditi shtyllën. Pas golit të avantazhit, Interi pati një shans të artë me Samuel Eto, që vetëm me Frein, nuk arriti të shënojë. Pas kësaj fitoreje Interi është shkëputur me 8 pikë nga Juventusi, që u mund 2-0 në Sardenjë nga Kaljari. Nene në minutën e 31-të mposhti Bufon me një gjuajtje spektakolare, ndërsa në fundin e pjesës së dytë ishte Matri që shënoi pas një kundërsulmi. Javën e ardhshme luhet Juventus-Inter dhe skuadra e Ferrarës ka një mundësi për të ulur disi diferencën tepër të dukshme prej 8 pikësh në renditje.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›