E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investoni per sigurine Ksera Aksidentet dyfishojne kostot

Kriza globale ka bërë që shumë kompani, përfshi këtu edhe ato shqiptare, të ulin investimet në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë. Por ekspertë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës thonë se ulja e sigurisë në punë do të rrisë kostot për vetë kompanitë.

Ministri i Punës Spiro Ksera u ka kërkuar bizneseve në vend që të tregojnë kujdes në këtë drejtim, pasi sipas tij, duke investuar për garantimin e sigurisë dhe shëndetit, biznesi zvogëlon dy herë kostot, ul numrin e mungesave në punë dhe përmirëson sjelljen e punëtorëve.

“Siguria parandaluese dhe kultura shëndetsore nuk është e lehtë të arrihet menjëherë në të gjithë sektorët e punësimit në rang kombëtar, por puna jonë duhet të fokusohet në realizimin e programeve të sigurisë dhe shëndetit të cilat janë specifike dhe deri tani janë bërë të suksesshme. Punëdhënësit duhet të kuptojnë se marrja e masave parandaluese nuk garanton thjesht jetën dhe shëndetin e punëmarrësve, por edhe vazhdimësinë dhe suksesin e sipërmarrjes së tyre ”, tha Ksera.

Në raportin e fundit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës thuhet se në botë numri i aksidenteve në punë me pasojë vdekjen ka pësuar rënie. Nga 358 mijë punëtorë që kanë humbur jetën para 2006-së, së fundmi ai ka zbritur në 321 mijë në vit. Ndërsa sëmundjet profesionale kanë njohur rritje dhe pothuajse janë dyfishuar, me mbi 2 milionë të sëmurë të rinj çdo vit.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›