E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policë me makina të vjedhura

04/03/2009  Operacioni, sekuestrohen në akset e Durrësit makina të kushtueshme të vjedhura në Perëndim

Informacioni nga Ministria e Brendshme: Kaloni “në sitë” dhe mjetet e efektivëve blu

DURRES- Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ndërmarrë këto ditë disa aksione në zonën bregdetare të Durrësit për të sekuestruar makinat luksoze të vjedhura në vendet perëndimore si dhe për të verifikuar disa automjete private të efektivave të policisë së Durrësit.

Bllokimi

Makina të tipit Benz Mercedes, Audi A 6 dhe Land Rover secila prodhim i pas vitit 2005 janë vënë nën kontrollin e policisë ngase ato rezultojnë të jenë vjedhur jashtë vendit. Mjetet janë me targa të Fierit, Kuçovës, Tiranës, Beratit, Lushnjës etj. Vetëm ditën e djeshme janë detyruar të lënë makinat e tyre të kushtueshme në duart e policisë katër persona. Operacioni i koduar “Credit Car” është përqendruar në autostradën Durrës-Tiranë-Durrës dhe në kryqëzimin tek vendi i quajtur Plepa, segment ky që lidh jugun e vendit me Tiranën. Plot katër mjete luksoze, shumë të kushtueshme dhe të prodhuara 2-3 vitet e fundit janë bllokuar menjëherë, kurse një i pestë ka sfiduar policinë duke u lënë vetëm letrat në dorë.

Policët

Aksioni është thënë se do të përfshijë edhe automjetet private të uniformave blu të Durrësit. Nisur nga informacionet që ka marrë Ministria e Brendshme thuhet se ka edhe policë dhe oficerë police që qarkullojnë me mjete të vjedhura apo edhe me autovetura me targa të rreme, false. Në ditën e djeshme, sipas disa burimeve nga brenda radhëve të policisë, thuhet se kjo kategori ka lënë mjetet në shtëpi për t’i shpëtuar kontrollit. Edhe pse aksioni ushtrohet nga kolegë të policëve që dyshohet se dalin në rrugë me targa të falsifikuara apo edhe me mjete të vjedhura, nuk ka bindur përdoruesit të heqin merakun. Shefi i Policisë së Qarkullimit Rrugor, Xhemal Lushaj, ka thënë se nuk ka dijeni nëse ka ndonjë makinë të bllokuar të kësaj kategorie, por ka pranuar se efektiva të policisë kanë në përdorim mjete, të cilat qarkullojnë në rrugë në mënyrë të kundërligjshme. Përdorues të mjeteve pa targa, me targa të rreme apo edhe makina që janë blerë në tregun e zi pa asnjë lloj dokumenti pronësie kanë mundur të mbajnë në qarkullim makinat në saj të ndërhyrjeve të efektivat e qarkullimit rrugor.

MJETET E VJEDHURA

Grupe kriminale shqiptare dhe individë trafikantë të mjeteve motorike kanë mundur të fusin në Shqipëri disa makina të vjedhura në Itali, Zvicër, Gjermani, Angli etj. Policia shqiptare e ka pasur të lehtë identifikimin e mjeteve, por edhe të personave që kanë pronësinë e mjeteve, pasi gjithçka ka ardhur me letërporosi nga sektorë e shërbime homologë të vendeve të dëmtuara nga ky lloj trafiku.

SI JANË MARRË

Makinat e vjedhura sipas një komunikate të shpërndarë nga policia, mësohet se janë marrë me kredi në vendet e origjinës, janë marrë me qira apo në formë “mashtrim siguracioni”. Dje ka nisur procedimi penal për disa shtetas për shkak se kishin në përdorim makina të vjedhura. Katër shtetas kanë rënë “në kurthin” e policisë, ndërsa një i pestë u ka lënë vetëm letra në dorë policëve të postbllokut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›