E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti dekreton tre anëtarët e Gjykatës së Lartë

26/05/2010 Përfundim i mandatit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi dje dhe emërimin e tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Vexhi Muçmataj, Sokol Çomo dhe Medi Bici janë tre emrat e zgjedhur nga kreu i shtetit, të cilët do t’i propozohen Kuvendit të Shqipërisë për miratim. Përmes një ceremonie të posaçme, pranë numrit një të shtetit bënë betimin për nisjen e detyrës së re dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese: Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja. Këta të fundit u votuan disa ditë më parë nga Kuvendi, i cili rrëzoi politikisht kandidaturën e tretë të propozuar nga Presidenti për të njëjtin post, atë të Vangjel Kostës. Përveç kandidatit në vend të Kostës, Presidentit Topi i duhet të zgjedhë edhe tre emra të tjerë, për të plotësuar në këtë mënyrë vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Dy ditë më parë Kushtetuesja vendosi për deklarimin e përfundimit të mandatit të tre anëtarëve të saj: Admir Thanzës, Xhezair Zaganjorit dhe Petrit Plloçit, më 21 të këtij muaji. Referuar vendimeve të Kushtetueses, sqarohet për secilin anëtar që lë detyrën e anëtarit procedura e zgjedhjes dhe përmbushja e afatit të përcaktuar ligjor lidhur me ushtrimin e funksionit. Admir Thanza, pas propozimit të Presidentit, mori pëlqimin e Kuvendit të Shqipërisë në shkurt të vitit që shkoi. Ai ka vijuar plotësimin e mandatit 9-vjeçar të gjyqtarit Gjergj Sauli, të papërfunduar prej tij, për shkak të mbushjes së moshës 70 vjeç. Gjergj Sauli e ka bërë betimin para Presidentit të Republikës në datën 21.5.2001. Anëtari Zaganjori ka vijuar plotësimin e mandatit 9-vjeçar të gjyqtares Tefta Zaka, të papërfunduar prej saj, për shkak të dorëheqjes. Ndërsa anëtari i tretë, Plloçi, pas emërimit nga kreu i shtetit, ka marrë pëlqimin e Kuvendit më 26 prill të 2001-it. Nga të dhënat rezulton se sipas ligjit, data 21.05.2010 konsiderohet edhe si datë e mbarimit të mandatit të tij si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›