E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaho: Anëtarët e gjykatave, me shumicë të cilësuar

Intervista Flet konstitucionalisti i njohur: Pëlqimi duhet të jepet me konsensus të palëve

Në një kohë kur pritet që kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, të dekretojë nga dita në ditë emrat e katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjashtë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, konstitucionalisti i njohur, Niazi Jaho, thekson se pëlqimi nga Kuvendi duhet të bëhet me shumicë të cilësuar, pasi kemi të bëjmë me një proces tejet të rëndësishëm. Duke folur në një intervistë për gazetën “Shqip”, Jaho analizon rëndësinë e këtyre dy institucioneve dhe i mëshon argumentit të votimit me shumicë të cilësuar. “Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj, ndërsa Gjykata e Lartë është instanca më e lartë në sistemin gjyqësor. Gjykata Kushtetuese, veç të tjerash, është organi që vendos për pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën, mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, ndërsa Gjykata e Lartë shqyrton akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, deputetëve etj”, deklaroi Jaho. Ai bën analogji me Avokatin e Popullit, që zgjidhet me tre të pestat ndërsa gjyqtarët e këtyre dy institucioneve si Gjykata e Lartë dhe Kushtetuesja vetëm me shumicë të thjeshtë...

Tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në muajin prill të këtij viti u ka mbaruar mandati, ndërsa tre të tjerëve u mbaron në muajin maj. Kur duhet bërë zëvendësimi i tyre?

Sipas Kushtetutës, kur një anëtari të Gjykatës Kushtetuese i mbaron mandati, Presidenti i Republikës, në zbatim të kritereve që parashikohen në nenin 125 pika 2 të Kushtetutës, emëron një anëtar të ri me pëlqimin e Kuvendit. Gjyqtarit që i ka mbaruar mandati, vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit (pika 5 e nenit 125 të Kushtetutës).

Në Kushtetutë, a parashikohet ndonjë afat brenda të cilit Presidenti i Republikës duhet të emërojë anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese?

Jo, në Kushtetutë nuk parashikohet ndonjë afat, ndërsa në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, emëron një gjyqtar të ri brenda një muaji, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar. Por ky është rasti i mbarimit të mandatit që parashikon neni 9 i ligjit, d.m.th. kur gjyqtari dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi, nuk paraqitet në detyrë pa arsye për më shumë se 6 muaj, mbush moshën 70 vjeç, jep dorëheqjen, si dhe me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet i paaftë për të vepruar.

Ka edhe katër anëtarë të Gjykatës së Lartë që u ka mbaruar mandati. Si e parashikon Kushtetuta dhe Ligji zëvendësimin e tyre?

Sipas Kushtetutës, edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Nuk jam në dijeni se kur u ka mbaruar mandati këtyre gjyqtarëve. Në Kushtetutë nuk është parashikuar ndonjë afat se kur Presidenti i Republikës duhet të bëjë emërimin e tyre në rastet kur anëtarëve të kësaj gjykate u mbaron mandati. As në Kushtetutë dhe as në ligjin e përmendur më lart, nuk parashikohet që gjyqtarit që i ka mbaruar mandati të vazhdojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit. Kjo do të thotë se sipas Kushtetutës dhe ligjit, anëtari i Gjykatës së Lartë, kur i mbaron mandati (gjë që vendoset me vendim të Gjykatës së Lartë), largohet nga detyra.

Presidenti i Republikës ka deklaruar se kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë që do të propozojë, nuk do të kenë lidhje me politikën, se ai ka pasur parasysh sidomos integritetin e tyre moral dhe profesional. Lidhur me këtë deklaratë a mund të shprehni ndonjë mendim?

Deklarata të tilla mendoj se duhen përshëndetur. Integriteti është një nocion i gjerë, kompleks dhe shumë i rëndësishëm. Integriteti i vërtetë krijon besim dhe jep garanci për pavarësi dhe paanshmëri, elemente këto të domosdoshme për të qenë gjyqtarë, sidomos në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Ka mendime se për anëtarët e këtyre gjykatave, pëlqimi nga Kuvendi duhet të jepet me votimin pro të tre të pestave të të gjithë deputetëve. ç’mendoni për këtë?

Po t’i referohemi nenit 78 të Kushtetutës, pëlqimi i Kuvendit për anëtarët e gjykatave të mësipërme vendoset me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij. Kjo do të thotë se do të mjaftonin vetëm 36 vota. Për të gjithë është e qartë se çfarë besueshmërie mund të krijonte një votim i tillë, për çfarë konsensusi mund të bëhej fjalë në një rast të tillë! Do të ishte e justifikueshme dhe e motivuar që në raste të tilla Kuvendi të vendoste me votim të cilësuar, pse jo edhe me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve. Por për këtë do të duhej të ndërhyhej në ligj ose në Kushtetutë. Ja disa nga argumentet në mbështetje të këtij mendimi: së pari, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë kanë mandat më të gjatë nga çdo organ tjetër. Kjo ka arsyet e veta; së dyti, Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj, ndërsa Gjykata e Lartë është instanca më e lartë në sistemin gjyqësor; së treti, Gjykata Kushtetuese, veç të tjerash, është organi që vendos për pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën, mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, ndërsa Gjykata e Lartë shqyrton akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, deputetëve etj., së katërti, për shkarkimin nga detyra të anëtarëve të këtyre gjykatave kërkohen dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, madje ky vendim duhet të shqyrtohet edhe nga Gjykata Kushtetuese. është e njëjta procedurë që ndiqet edhe në rastin e shkarkimit të Presidentit të Republikës; së pesti, si mund të justifikohet fakti që pëlqimi për emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë mund të vendoset edhe me 36 vota, ndërsa shkarkimi i tyre do të kërkonte 94 vota?!. Ose si mund të justifikohej fakti që Avokati i Popullit zgjidhet me tre të pestat e të gjithë deputetëve, ndërsa pëlqimi nga Kuvendi i dekreteve të Presidentit për emërimin e anëtarëve të gjykatave të mësipërme, mund të vendosej edhe me votat e 36 deputetëve?!

Këto dhe shumë argumente të tjera, të bëjnë të arrish në përfundimin se mendimet e shprehura për zgjedhjen e tyre me votim të cilësuar janë të bazuara. Mendoj se është e vonuar, por jo e pamundur që kjo çështje të zgjidhet edhe tani që ende dekretet nuk i janë dërguar Kuvendit. Për këtë do të duhej konsensusi i gjerë midis mazhorancës dhe opozitës dhe përgatitja e një projektligji për plotësime në ligjin mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë që do të shqyrtohej me procedurë të përshpejtuar. Kjo, mendoj se nuk do të binte ndesh me frymën e Kushtetutës edhe pse mund të kishte mendime se do të duhej ndërhyrje në Kushtetutë. Kemi parasysh se ligjet e mësipërme organike janë miratuar me tre të pestat e të gjithë deputetëve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›