Pro dhe kundër botimit të shkurtuar
Pas paralajmërimit të paradokohshëm të botuesit Bompiani se Umberto Eco ka përgatitur një version të shkurtuar të romanit të tij “Emir i Trëndafilit”, me synim “që të thjeshtësojë disa pjesë dhe të freskojë paska gjuhën e tij”, në botën e librave kanë shpërthyer polemikat. Qëllimi i këtij veprimi është që, siç ka sqaruar botuesi, romani të bëhet më joshës për “lexuesit e rinj”, përmes shkurtimit të përshkrimeve të gjata, përjashtimit të disa referencave erudite dhe të disa pjesëve të tekstit në gjuhën latine.
Megjithatë, sipas të gjitha gjasave, një prej ideve që e motivuan shkrimtarin e njohur që përsëri të merret me veprën e tij është edhe tentimi që libri t’i afrohet sa më tepër gjeneratës së re të lexuesve, e në veçanti atyre të gjeneratave më të reja, të cilët dalëngadalë po e humbin shprehinë e bukur të leximit, në këtë kohë që gjithnjë e më shumë po quhet e digjitalizuar.
Shkrimtari, gazetari dhe kritiku letrar, Pierre Assouline, ka retur ashpër ndaj kësaj qasjeje në shtojcën e kulturës të gazetës së njohur parisiene ‘Le Monde’. Assouline thekson se intelektuali dhe shkencëtari i njohur italian megjithatë është i tej vlerësuar si shkrimtar.
“Eco mendon se gjeneratat e reja të fillimit të këtij shekulli janë më pak të arsimuara nga ato të kaluarat, andaj edhe iu ofroi një botim i cili do të duhej të tejkalonte paditurinë e tyre”, thekson ai.
Për gazetarin francez, versioni i ri i romanit sigurisht që i bënë të gëzuar botuesin, autorin dhe distributorin e tij, të cilët shpresojnë se do të fitojnë para shtesë nga e njëjti libër, por ky veprim nuk ka asgjë të përbashkët me letërsinë.
“A ka kuptim që të rimodelohet një roman mitik, i cili pati fatin e rrallë që të përjetonte një sukses të dyanshëm, tek lexuesi dhe tek kritika?” pyet Assouline.
Në mbrojtje të shkrimtarit të romanit të definuar “si trilerin më të komplikuar mesjetar në historinë e njerëzimit” është vënë një gazetar dhe kritik tjetër francez. Nicolas Garrier, themelues i web-faqes Actualittu.com. Ai konsideron se fuqi e projektit të Eco’s qëndron pikërisht në përfitimin e lexuesve të rinj, të cilët me librin janë njohur vetëm nëpërmjet internetit.
“Autori ka treguar se posedon një vizion interesant për internetit dhe një ide të re për mundësinë e komunikimit kulturor përmes rrjetit”, theksoi ai. Për Garrier , dëshira për të thjeshtëzuar gjërat paraqet të kuptuarit e realitetit, brenda të cilit “niveli i ujit po bije çdo vit e më tepër”. E në fund, duke refuzuar tezën se Eco dëshiron të përfitojë lexuesit përtac, gazetari shtron pyetjen: “ A nuk do të ishte më mirë që fillimisht të lexohet libri, e pastaj të komentohet?”.
Romanin “Emri i Trëndafilit” (të botuar në vitin 1980) gazeta franceze ‘Le Monde’ dikur e kishte radhitur në mesin e 100 titujve më të rëndësishëm të shekullit të 20. Romani është përkthyer në 47 gjuhë (përfshirë këtu edhe gjuhën shqipe). Në gazetat italiane deri më tani ka mundur të lexohet se, falë versionit të ri, ka gjasa që romani të hyjë në listën e realizimeve më të rëndësishme letrare të shekullit 21.