E Shtunë, 31 Tetor 2026

Janinë ; Kapen 3 shqiptarë me 90 kg hashash

Tre shqiptarë janë kapur në orët e vona të së hënës në Janinë të Greqisë me një sasi droge prej 90 kg kanabis sativa. Lajmin e kanë publikuar agjencitë greke dje në orët e vona të mbrëmjes. Sipas të dhënave në mediat fqinje gjatë ditës së djeshme, mësohet se policia kufitare greke ka vënë re në orët e pasdites lëvizje të dyshimta të tre të panjohurve në një zonë malore afër kufirit greko-shqiptar në vendin e quajtur Haravgji Delvinaki, rreth 40 kilometra larg qytetit të Janinës. Referuar të dhënave të policisë greke, mediat thanë se pasi janë afruar kanë parë tre shtetas, të cilët kishin kaluar kufirin grek duke transportuar disa thasë me hashash. Policia dëgjoi se të tre shtetasit komunikonin shqip. Menjëherë policia organizoi në befasi një operacion të shpejtë duke vënë në pranga tre shtetasit shqiptarë. Ndërkohë, policia greke ka sekuestruar si provë materiale tre thasë të cilët përmbanin 90 pako me hashash, me peshë gjithsej 91 kilogramë e 925 gramë hashash. Të tre shtetasit shqiptarë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur për arsye hetimore, janë transportuar mëngjesin e djeshëm tek prokurori i Janinës. Nga hetimet paraprake dyshohet se droga vinte nga Shqipëria dhe kishte destinacion Greqinë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›