E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Part-time”, Matura Shtetërore nuk do të jetë kriter pranimi

Gjatë javës në vijim pritet të merret vendimi për rihapjen e kurseve me kohë të pjesshme në të gjitha universitetet publike në vend. Në këtë mënyrë, pas një viti pushim, pritet rinisja e regjistrimeve në këtë sistem. Ndërkohë, burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se Matura Shtetërore nuk do të jetë një kriter pranimi për maturantët, pasi në shumicën e rasteve kuotat do të mund të mbulojnë numrin total të aplikuesve.

Kriteret e pranimit

Sipas të gjitha të dhënave, Matura Shtetërore nuk do të jetë një ndër kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për studentë as në universitetet publike. Burime nga Ministria e Arsimit bën të ditur se përzgjedhja për kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit të kaluar akademik do të mjaftohen me mesataren e shkollës së mesme dhe jo me pikët e grumbulluara nga Matura Shtetërore. Këto burime theksojnë se në shumicën e rasteve në sistemin me kohë të pjesshme janë pranuar të gjithë aplikuesit, që kanë përfunduar shkollën e mesme dhe kanë paguar tarifën, duke e bërë në këtë mënyrë përzgjedhjen inekzistente.

Vlen të theksohet se procedurat e mëtejshme do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave në vendimin përkatës, ndërkohë që regjistrimi në universitet do të kryhet pas përfundimit të regjistrimit të studentëve në sistemin me kohë të plotë.

Burimet nga ministria deklarojnë se këtë vit nuk do të krijohet kaosi i një viti më parë, pasi shkollat që kanë dorëzuar në këtë institucion programet e reja, nuk do të hasin pengesa të panevojshme. Madje, sipas saj, në shtator do të miratohet edhe vendimi i posaçëm i Këshillit të Ministrave, ku do të përcaktohen modalitetet për secilën shkollë të lartë që do të ofrojë këtë lloj studimi.

Kaosi i vitit të kaluar

Gjatë vitit akademik që përfundoi, shkollat e larta publike në vendin tonë nuk kryen studime me kohë të pjesshme, pas një kërkese të ardhur në fillim të vitit akademik nga Ministria e Arsimit, për rifreskimin e programeve shkollore. Ministria kërkoi që sistemi me kohë të pjesshme të zgjaste 4-6 vjet në varësi të shkollës dhe në të të plotësohej e gjithë kurrikula që përdoret për sistemin me kohë të plotë. Edhe pse shumë universitete i dërguan programet e reja brenda muajit dhjetor, sistemi me kohë të pjesshme nuk u hap, duke hequr mundësinë e fundit që kishte mbetur për shumë maturantë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›