E Diel, 1 Nëntor 2026

Juridiku, Universiteti i Tiranës kërkon “Petro Ninin”

Universiteti i Tiranës i ka propozuar Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhënien provizore të shkollës “Petro Nini Luarasi” për zhvillimin e mësimit të Fakultetit të Drejtësisë. Ndërkohë një propozim i dytë është për Fakultetin e Gjeologji-Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ministria e Arsimit është duke shqyrtuar propozimin e universitetit për të zgjidhur ngërçin e krijuar.

Propozimi

Burime nga rektorati i Universitetit të Tiranës bënë dje me dije se i është kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencave, që mësimi i studentëve të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Shkencave Sociale të zhvendoset përkohësisht në shkollën “Petro Nini Luarasi”. “Kemi një bashkëpunim mjaft të mirë me ministrinë dhe zgjidhja do të gjendet shumë shpejt. Ne kemi propozuar që mësimi të zhvillohet në këtë shkollë pas orës 13:30 që përfundon mësimi i gjimnazit”, – është shprehur për “standard” drejtori i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, z. Ervin Demo.

Ndërkohë, Këshilli Kombëtar Studentor me anë të një e-maili ka njoftuar se brenda pak ditës kjo do të kthehet në realitet. “Brenda pak ditësh pritet që studentet të rifillojnë mësimin në godinën e shkollës së mesme "Petro Nini Luarasi" duke filluar që nga ora 13:30. Gjithashtu për pak kohë Fakulteti i Drejtësisë do të transferohet te godina e Kinoklubit të Qytetit Studenti. Gjithashtu, së shpejti do të fillojnë punimet për ngritjen e një kampusi universitar për Universitetin e Tiranës në fushat sportive të Qytetit Studenti”, – deklarohet në këtë njoftim.

Juridiku

Ministria e Arsimit ka njoftuar se i ka kërkuar Ministrisë së Punëve Publike ngritjen e një grupi ekspertësh, të cilët do të gjykojnë nëse ndërtesa ku strehohet fakulteti përbën apo jo rrezik shembjeje. Ky grup ekspertësh është duke verifikuar në terren situatën dhe pritet të dalë me një raport përfundimtar. Ndërkohë, Drejtoria Arsimore Rajonale e Qytetit të Tiranës i ka kaluar Universitetit të Tiranës shkollën “Migjeni”, për të zhvilluar mësimin periudhën deri sa të merret vendimi mbi Fakultetin e Drejtësisë, por kjo nuk është realizuar deri më sot.

Kati i tretë i godinës së përbashkët të Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit të Drejtësisë është ndërtuar në vitin 2004, dhe prej asaj kohe janë vërejtur problemet e para. Në vitin 2006, plasaritjet mbushën të gjitha muret e katit të parë të Fakultetit të Drejtësisë. Dy muaj më parë, Universiteti i Tiranës paditi në Prokurorinë e Rrethit Tiranë firmën ndërtuese “Koli” sh.p.k., por vetëm dje është marrë vendimi për të dërguar specialistë për verifikimin e dëmit. Sakaq, të premten është marrë vendimi për pezullimin e studimeve, derisa të verifikohet, nëse ekziston apo jo rreziku i shembjes së godinës.

Tiranë

Miratohen bursat shkollore

Është miratuar dje gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit Bashkiak të Tiranës projektvendimi për listat e studentëve dhe nxënësve që përfitojnë bursa për vitin akademik 2008-2009. Sipas burimeve të Këshillit Bashkiak Tiranë, “janë rreth 27 studentë të fakulteteve të ndryshme që në sajë të këtij vendimi kanë përfituar trajtimin me bursë për ndjekjen e procesit mësimor, veçanërisht të atyre që vijnë nga rrethet e largëta e që gëzojnë të ardhura të pakta ekonomike. Gjithashtu, është miratuar që për këtë vit të ofrohen për shkollat e mesme bursa në konvikte për 217 nxënës të profileve të ndryshme. Këta të fundit do të qëndrojnë në godinat e 6 konvikteve për shkollat e mesme, duke përfituar dhe bursën përkatëse, e cila ndahet sipas viteve të shkollës”. Pjesa dërrmuese e bursave të plota janë për vitet e para dhe të dyta. Për shkollën elektrike do të ofrohen 45 bursa strehimi, prej të cilave 43 të plota dhe 3 gjysmëbursa për vitet e pesta, për shkollën ekonomike janë ofruar 40 bursa, 39 të plota dhe një gjysmëbursë, për shkollën Hoteleri-Turizëm janë përcaktuar 38 bursa të plota, për Shkollën e Gjuhëve të Huaja janë përcaktuar 40 bursa për konviktet nga viti i dytë deri në vitin e katërt, për shkollën e Mjeshtërisë Sportive janë përcaktuar 17 bursa, për shkollën e Liceut Artistik janë përcaktuar 34 bursa, të shpërndara këto nga klasa e gjashtë deri në vitin e katërt. Listat me emrat e studentëve dhe nxënësve do të dërgohen pranë fakulteteve dhe godinave të konvikteve të shkollave të mesme, ku do të nisë edhe procedura e shpërndarjes së masës trajtuese dhe afatet përkatëse.

Abonetë e studentit, në treg të zi

Abonetë e studentëve për të qarkulluar në linjat urbane të kryeqytetit kanë përfunduar në tregun e zi. Shumë studentë janë drejtuar në pikat e shitjes për të marrë kartën e pajtimit mujor, por nuk e kanë gjetur. Shitësit ambulantë bëjnë me dije se Bashkia e Tiranës ka nxjerrë rreth 300 copë në çdo pikë, po asnjë prej aboneve nuk ka arritur deri tek ata. “Nuk është hera e parë që ndodh ky problem. Për muaj të caktuar na vijnë më shumë abone sesa shiten, pastaj mungojnë për një kohë të gjatë”, - tha një prej punonjëseve në pikën e shitjes së aboneve në qendër të Tiranës. Ajo shtoi se “kjo situatë përsëritet prej një viti. Abonetë e studentit kushtojnë 600 lekë, sa gjysma e çmimit të aboneve të përgjithshme, çka bën që kërkesat të jenë të larta, edhe nga ata që nuk janë të tillë. Shpërndarësit e tyre nga Bashkia e Tiranës nuk i sjellin në pikat e shitjes, por i shesin ato nën dorë”. Burime nga Bashkia e Tiranës thonë se “detyra jonë është që abonetë për studentët të shpërndahen në pikat kryesore ambulante të tyre, numri i të cilave është 300 copë për pikë, çka është mjaftueshme për të pajisur studentët që ndjekin linjat urbane në Tiranë”. Por edhe kur këto karta pajtimi ekzistojnë nëpër pika është gati e pamundur t’i blesh, pasi shitësit ua japin vetëm personave që njohin apo të afërm, edhe pse mund të mos jenë në shkollë të lartë. Ata janë të detyruar që në mungesë të asaj çka u takon, ta blejnë abonenë rreth 1.200 lekë. “Unë jam në shkollë dhe udhëtoj me linjat urbane, kështu që më duhet me patjetër një abone. Edhe nëse ajo është më e shtrenjtë se çmimi real, përsëri do ta marr, se përndryshe do të blej abone të përgjithshme, e cila kushton më shumë”, - u shpreh një studente. Gjithashtu, ajo pohoi se për këtë muaj kishte marrë abone të përgjithshme, sepse abone studenti nuk kishte gjetur.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›