E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventusi rikthehet në betejën për Champions

ITALI- Juventusi mban të ndezur shpresën për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm, ndonëse fitorja e Palermos të shtunën në mbrëmje ndaj Milanit e ka minimizuar atë. Bardhezinjtë kanë mposhtur 3-0 Barin, duke marrë një fitore shumë më të vuajtur sesa tregon rezultati final. Në pjesën e parë skuadra e Zakeronit është shpëtuar disa herë nga portieri Bufon, sidomos në dy raste të Koman, që i pati të gjitha mundësitë për të kaluar puljezët në avantazh.

Më pas, futja e Iakuintës në pjesën e dytë në vend të një Amauri të shuar, ka bërë që torinezët të dominojnë dhe të marrin fitoren. Aktualisht, vendi për në Europa League duket i sigurt, por për Champions, bardhezinjve u duhet të shpresojnë në hapat fals të Sampdorias dhe Palermos, që në javën e fundit ndeshen me njëra-tjetrën. Përsa i përket ndeshjes, heroi i Juventusit ishte Vinçenco Iakuinta që shënoi dy herë, ndërsa Aleks Del Piero realizoi golin tjetër, pas një penalltie të fituar nga braziliani Diego.

Deklaratat
Fitorja e sotme duket se ka rritur moralin në shtëpinë e Juventusit. “Me këtë kondicion mund të luftojmë deri në momentet e fundit, - deklaroi pas ndeshjes trajneri Alberto Zakeroni. –Jemi në formë të mirë dhe rezultatet po duken. Iakuinta? Vinçenco po mbledh frytet e 15 ditëve punë intensive. Edhe ai është kthyer në formë ”, shtoi “Zak. “Për Champions League, lufta është bërë shumë e fortë, por mund t’ia dalim”, - deklaroi kapiteni Aleks Del Piero. Ai pati një moment konfrontimi me trajnerin Zakeroni, megjithatë asgjë serioze. “Duhet të dilja unë nga fusha dhe po shkoja t’i jepja shiritin Bufon, por pashë Marçizion të shtrirë dhe po qëndroja të shihja çfarë do të ndodhte. Ishte vetëm një keqkuptim”, sqaroi Del Piero.

Ndeshjet e tjera
Në takimet e tjera të Serisë A, Lacio e Bolonja kanë bërë një hap të sigurt drejt mbijetesës. Bardhekaltërit e Edi Rejës fituan 2-1 në “Marassi” përballë Xhenoas, duke përmbysur disavantazhin e përkohshëm që në pjesën e parë. Të njëjtën gjë bëri edhe Bolonja në fushën e saj përballë Parmës, duke shkuar 5 pikë larg Atalantës. Ndërkohë, një nga surprizat më të mëdha të ndeshjeve të së dielës ishte humbja 0-2 e Fiorentinës në “Artemio Franki” përballë Kievos. Në pjesën e parë, skuadra e Prandelit ishte e pafat, duke humbur 3 lojtarë për arsye dëmtimi. Vjollcët humbën një penallti me anë të Vargas në minutën e 49-të, ndërsa 4 minuta më pas, ishte Pelizier që i ndëshkoi pas një kundërsulmi të shpejtë. çerek ore para përfundimit, Sardo shënoi edhe golin e dytë, duke i dhënë edhe shpëtimin matematik skuadrës së Erjon Bogdanit. Ndërkohë, Napoli sërish gabon në fushën e tij, duke mos shkuar më shumë se një barazim pa gola ndaj Kaljarit dhe duke i dhënë praktikisht lamtumirën Champions League.

SERIA A
Inter-Atalanta 3-1
Palermo-Milan 3-1
Të dielën
Fiorentina-Kievo 0-2
Juventus-Bari 3-0
Bolonja-Parma 2-1
Xhenoa-Lacio 1-2
Napoli-Kaljari 0-0
Livorno-Katania 3-1
Udineze-Siena 4-1
Roma-Sampdoria
RENDITJA
Inter 73
Roma 71
Milan 64
Palermo 58
Sampdoria 57
Juventus 54
Napoli 53
Xhenoa 48
Parma 46
Fiorentina 46
Bari 46
Kievo 44
Kaljari 42
Udineze 42
Katania 40
Lacio 40
Bolonja 39
Atalanta 34
Siena 30
Livorno 29
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›