E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, Butler: Respektoni ndarjen e pushteteve Hetimet, transparente

BRUKSEL-Komisioni Europian i bën apel Tiranës që të respektohet ndarja e pushteteve, ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit. Deklarata erdhi nga zëdhënësja e komisionierit për zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle. Në një konferencë për shtyp nga Brukseli Butler u shpreh se KE ka nën vëzhgim situatën në Shqipëri dhe punën që po bën prokurorja e përgjithshme Ina Rama.

“Do tju kujtoja se është e rëndësishme që Prokurori i Përgjithshëm të mund të vazhdojë hetimet në mënyrë transparente me ndihmën dhe mbështetjen e të gjitha palëve dhe kryesisht qeverisë dhe opozitës”. Butler nënvizoi se “në Shqipëri, ashtu si në cdo vend potencialisht kandidat duhet të ketë ndarje të pushteteve”.

Ky rregull- tha më tej zëdhënësja e Fylesë- aplikohet në të gjitha vendet dhe duhet të zbatohet edhe në Shqipëri. “Pra, ne e monitorojmë nga afër situatën dhe do të bënim apel që këto tre pushtete të respektohen sepse kjo është bazë për demokracinë dhe është e rëndësishme që Shqiperia e cila ka aplikuar për anëtarësimin në Bashkimin Europian të jetë e aftë të vërtetojë që po i zbaton dhe po i respekton këto tre parime kryesore që janë pjese e parimeve të Kopenhagenit. E pyetur nga gazetarët se cfarë ndodh nëse këto parime nuk respektohen, Butler u shpreh se “Situata në Shqipëri është shqetësuese dhe për këtë fakt në Tiranë mbërriti para disa ditësh i dërguari i Baroneshes Ashton dhe se sot në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së diskutohet ndër të tjera edhe për Shqipërinë. Do të diskutohet se cfarë duhet bërë në Shqipëri. Sipas Butler, “Të gjitha opsionet janë të hapura. Shqipëria është potencialisht vend kandidat për në Bashkimin Europian ndaj duhet ta shikojme me shume kudjes situaten atje.”
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›