E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Jashtëm miraton 4 ambasadorët

Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme zhvilloi  dje një seancë dëgjimore me katër kandidatë për ambasadorë, Sokol Gjokën në Federatën Ruse, Fatos Kërçiku në Republikën e Indisë, Nuri Domi në Republikën Arabe të Sirisë dhe Egjipt, si dhe Gazmend Barbullushin në Mbretërinë e Hollandës. Pas seancës së zhvilluar pa praninë e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, kryetari i komisionit Preç Zogaj tha për gazetarët, se deputetët  i vlerësuan pozitivisht të katër kandidaturat e paraqitura, të cilët janë diplomatë karriere. "Të gjithë deputetët e pranishëm në komision dhanë mbështetje për emërimin e tyre dhe këtu uroj që dhe Presidenti i Republikës t'i dekretojë sa më shpejt të jetë e mundur", tha Zogaj. Duke theksuar se me këto kandidatura i jepet përgjigje dhe shqetësimeve për plotësimin e vendeve vakante në disa seli diplomatike, Zogaj sqaroi dhe mungesën e deputetëve të PS-së në mbledhjen e sotme të komisionit."Shpreh keqardhje për mospraninë e tyre, por socialistët janë të mendimit se nuk duhen emëruar ambasadorë para zgjedhjeve. Zgjedhjet janë në horizont, nuk janë kaq afër dhe mendoj se duhet ta shkëpusim konceptin e zgjedhjeve nga koncepti i emërimit të ambasadorëve. Diplomacinë duhet ta shohim përtej ngjarjeve politike, siç janë zgjedhjet", tha Zogaj.
Sipas tij "Presidenti i Republikës, që në funksionet e veta përfaqëson jo vetëm unitetin e popullit, por dhe vazhdimin e pushtetit, kur bëhen zgjedhje apo ka ndryshime politike në parlament, është kompetent që të emërojë ambasadorë edhe ditën e zgjedhjeve. Por, sipas pikëpamjes së maxhorancës, nënvizoi Zogaj ligji është në fuqi dhe zbatohet kurdoherë dhe nuk ka asnjë arsye për moratorium, sepse nuk kemi të drejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›