E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD: Nuk i kryejmë dot inspektimet në rrethe

Përfaqësuesja e institucionit kërkon rishikimin e shkurtimeve

Shkurtimet buxhetore të ndërmarra nga qeveria kanë provokuar kundërshtimin e organeve kushtetuese, një nga të cilat është edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. I prekur në ecurinë normale të aktivitetit të vet, KLD-ja ka përcjellë pranë Komisionit Parlamentar të Ligjeve një shkresë, ku argumentohet në mënyrë të detajuar cenimi që buxheti i reduktuar i shkakton integritetit të punës së këtij institucioni. Sipas tyre, me këto shkurtime nuk arrihet dot verifikimi i ankesave të shtetasve apo subjekteve të tjera të interesuara. Po kështu, sipas tyre, me shkurtimet nuk arrihen të bëhen edhe inspektimet tematike e të përgjithshme të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apeleve. Gjithçka lidhet me shkurtimet e bëra në artikullin 602 “Shpenzime për mallra dhe shërbime”, ku sipas ndërhyrjes së qeverisë për KLD, fondit të akorduar në fillim të vitit i zbritet shifra prej 5 milionë e 700 mijë lekësh. Lidhur me këtë çështje, përfaqësuesit e KLD-së kanë argumentuar edhe dje në Komisionin e Ligjeve se kjo masë është e ekzagjeruar dhe nuk merr parasysh detyrimet e procesit normal të punës së këtij institucioni. Kështu, zbritja e bërë e redukton fondin e mbetur për periudhën në vazhdim në 9 081 000 lekë, i nevojshëm për shërbime të tilla si likuidime faturash të energjisë, telefoni, njoftime në gazetë, mirëmbajtje, pajisje rrjeti, mirëmbajtje zyre etj. Një arsye më shumë është edhe detyrimi kontraktual i KLD-së me operatorë të ndryshëm lidhur me blerje karburanti dhe pjesë këmbimi automjetesh, çka me zbritjen e diktuar nga qeveria e bën atë të pamundur. Përveç këtyre nevojave elementare, por të rëndësishme, reduktimi i buxhetit ndërhyn edhe në realizimin e detyrave bazë që lidhen me inspektimin në rrethe, mbulimi i të cilave vetëm për sa u përket dietave në 6-mujorin e parë ka arritur shifrën e 3 000 000 lekëve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›