E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, sot e vetme përballë ndryshimeve në SHISH

Demokratët do të vendosin përfundimisht nëse do të tërhiqen apo jo nga nisma e shumëdebatuar

Në seancën e sotme parlamentare pritet që Partia Demokratike të vendosë përfundimisht nëse do të tërhiqet nga nisma e saj për ndryshimet e shumëdebatuara në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar apo jo. Vendosja në kalendarin e punimeve të sotme të projektligjit "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 26.10.1998 ‘Për Shërbimin Informativ të Shtetit’ të ndryshuar", ku parashikohet kufizimi i mandatit të kreut të SHISH me pesë vite dhe përcaktohen rregulla të reja për funksionimin e këtij institucioni. Nuk dihet ende nëse PD do tërheqë nga votimi apo jo në seancën e sotme këtë nismë, por ajo që dihet lidhet me faktin se demokratët kanë kundër saj NATO-n dhe aleatët e tyre më të afërt në qeverisje, Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kjo nismë është kundërshtuar publikisht nga ana e ambasadorit amerikan në Shqipëri, Xhon Uidhers dhe jo publikisht nga ana e përfaqësuesit të lartë të NATO-s, Rasmusen. Burimet bëjnë të ditur se edhe vizita e tij pak muaj më parë në Shqipëri kishte si qëllim kryesor ndryshimet në ligjin e SHISH-it. Po kështu aleatët e PD-së, përfaqësuesit e LSI-së, kanë theksuar se ata nuk do ta votonin një ligj i cili ishte kundër direktivave të ndërkombëtarëve. Këtë gjë e theksoi dje edhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, në një konferencë për shtyp. Sipas tij, Shqipëria ka një detyrim edhe për sa i përket rishikimit të ligjeve që kanë të bëjnë me forcat e armatosura, që kanë të bëjnë me shërbimin inteligjent, të konsultohet me NATO-n, në mënyrë që të përmbushë detyrimet e saj. “Ne kemi për detyrim, që për çdo ligj që ka të bëjë me fushën ku shtrihen marrëdhëniet tona me BE-në, ne të verifikojmë nëse legjislacioni ynë është apo jo në përputhje me legjislacionin e këtij komuniteti”, theksoi Meta. Nga ana tjetër, në seancën e sotme parlamentare janë përfshirë një sërë nismash të mbartura të Kuvendit gjatë sesionit aktual, por edhe nga ana e të mëparshmit. Kështu, në rend që presin miratimin janë edhe ndryshimet në shtatë kode, të cilat kërkojnë një shumicë të cilësuar votash për të marrë miratimin. Nga ana tjetër, mazhoranca ka përshirë në kalendar edhe projektligjin për gjykatat administrative, i cili po kështu kërkon 3/5 e votave të Kuvendit për t’u miratuar. Këto nisma kanë pak shanse të votohen, duke qenë se opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votimin e tyre as në seancën e parafundit të kësaj legjislature parlamentare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›