PS paraqet rezolutë të re për aplikimin si anëtar i BE-së

Komisioni i Integrimit i miratoi këto propozime
Tiranë, 28 Janar, 13:04, NOA - Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Komisionin e Integrimit, Taulant Balla dhe Gramoz Ruçi, kanë propozuar në Komisionin e Integrimit Europian disa ndryshime në Projekt-Rezolutën dhe për nxitjen e qeverisë për paraqitjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Komisioni i Integrimit i miratoi këto propozime dhe kërkoi që një grup i përbashkët i Komisionit të Jashtëm dhe Komisioni të Integrimit, të mundësojnë hartimin e një dokumenti përfundimtar para se Projekt-Rezoluta të kalojë në Kuvend.
Më poshtë, Projekt-Rezoluta me ndryshimet e propozuara nga socialistët.
REPUBLIKA E SHQIPERISË
KUVENDI
Tiranë, 28 Janar 2009
PROJEKT-REZOLUTË
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Me vendosmërinë për të përmbushur aspiratën historike të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian;
Me bindjen se Komunitetet Europiane përbëjnë bërthamën e vlerave të demokracisë, lirisë, bashkëjetesës në paqe, harmonisë, stabilitetit të qëndrueshëm dhe mirëqenies;
Në mbështetje të përpjekjeve për krijimin e një shoqërie të begatë nëpërmjet konsolidimit të ekonomisë së tregut dhe forcimit të vlerave të shtetit të së drejtës, në dobi të qytetarëve shqiptarë;
I bindur se integrimi Europian do të kontribuojë qenësisht për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Ballkanit, bashkëjetesës në harmoni dhe prosperitetit social-ekonomik të rajonit, duke e çliruar atë përfundimisht nga kujtesat e hidhura të së kaluarës;
Nisur nga fakti që, gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht, Shqipëria si vend europian, qëndron në ndërthurjen e rrugëve, që lidhin Europën dhe kulturën europiane me hapsirën mesdhetare;
Bazuar,
Në nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian, lidhur me procedurat dhe kushtet e kandidimit e më pas të anëtarësimit;
Ripërsërit gatishmërinë për përmbushjen e angazhimeve dhe detyrimeve të Shqipërisë që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocijimit (Marrëveshja Interim);
Rithekson vendosmërinë për vazhdimësinë dhe thellimin e punës tashmë të nisur për përafrimin e plotë të sistemit ligjor të Republikës së Shqipërisë me standardet dhe Acquis Communautaire të Bashkimit Europian, duke vënë në themel dhe në funksion të kësaj pune angazhimin e partive politike parlamentare për vazhdueshmëri të dialogut konstruktiv.
Deklaron përkushtimin e tij për konsolidimin e vlerave të lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të respektimit të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve dhe ruajtjes së identitetit kombëtar të çdo vendi.
I kërkon Qeverisë shqiptare që, përpara se të paraqesë aplikimin për të kaluar si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, të hartojë dhe t'i paraqesë Kuvendit një Program Pune me afate konkrete dhe rezultate të matshme, në të cilin duhet të adresohen të gjitha çështjet që lidhen me (i) infrastrukturën dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen më 28 Qershor 2009; (ii) forcimin e kapaciteteve administrative për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Associimit dhe të detyrimeve të Marrëveshjes Interim; (iii) intensifikimin e luftës kundër korrupsionit; (iv) krimit të organizuar dhe (v) pastrimit të parave; (vi) adresimin e detyrimeve në kuadër të procesit të liberalizimit të plotë të vizave me vendet e BE; (vii) respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, (viii) të drejtës së pronës dhe (ix) lirisë së Mediave.
Inkurajon Qeverinë e Republikës së Shqipërisë që, në momentin e përshtatshëm, në konsultim me Komisionin Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Eurupian, të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për të kaluar si vend kandidat në këtë Organizëm dhe të raportojë për këtë në Kuvendin e Shqipërisë mbi ecurinë e negociatave.
Shpreson dhe mirëpret që Parlamenti Europian, Komisioni Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian të marrin në konsideratë vendosmërinë dhe konsensusin që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë dhe aspiratës së popullit të saj për integrim Europian, ashtu sikundër ato shprehen edhe në frymën e kësaj Rezolute.
NOA