E Diel, 1 Nëntor 2026

Kahl: Rumunët e veriut të Ballkanit, të ndryshëm nga vllehtë

Intervista Flet studiuesi i njohur gjerman, i cili ka botuar librin mbi arumunët

Profesor Thede Kahl është një nga studiuesit e njohur për çështjen e arumunëve. Ai ka shkruar doktoraturën mbi studimin e vllehve të Ballkanit. Studimi i tij është botuar në librin "Etniciteti dhe ndarja hapësinore e arumunëve në Europën Juglindore". Në një intervistë të dhënë për “Deutsche Welle”, ai thekson se rumunët e veriut të Ballkanit janë ndryshe nga vllehtë e jugut.

Profesor Kahl, çfarë janë arumunët, ose vllehtë e Shqipërisë?

Rumunët e veriut të Ballkanit dallojnë nga arumunët, ose vllehtë në jug të tij. Duhet shpjeguar se në të gjithë popujt e Europës Juglindore dhe në Rumani, gjatë Mesjetës ka qenë e zakonshme që rumunët të quhen vlleh. Me fillimin e identiteteve nacionale dhe të shteteve nacionale në Europën Juglindore, shohim te vendet ku jetojnë rumunët në Ballkanin Verior, pra mes vllehve, një rikthim të rrënjëve latine. Bota vllahe heq dorë nga emërtimi i vjetër dhe kalon tek emërtimi rumun, domethënë që t`i quajë vllehtë rumunë. Nëse ne sot gjejmë vlleh në Ballkanin Jugor, Shqipëri dhe Greqi, atëherë kemi të bëjmë me një emërtim të njëjtë. Por, rumunët që krijojnë shtetin në veri të Ballkanit dhe vllehtë në jug të Ballkanit, dallohen nga njëri-tjetri. Nga pikëpamja gjuhësore, rrënjët janë të njëjta tek e ashtuquajtura latinishtja vulgare, dialekti roman që flitej prej popujve të Lindjes. Por gjuhët janë zhvilluar të ndara nga njëra-tjetra, që prej më shumë se 1000 vjetësh kanë zhvillime të ndryshme dhe janë sot aq të ndryshme, saqë nuk mund të kuptohen dhe në përgjithësi nuk kanë bazë për një identitet të përbashkët. Në mes të vllehve (arumunëve), nuk mund të gjenden njerëz që identifikohen me rumunët, dhe anasjelltas.

Atëherë pse përpiqet Rumania t`i quajë vllehtë të vetët?

Në princip, që prej krijimit të shtetit rumun dhe lindjes së idesë nacionale rumune, ka lindur edhe ideja që praktikisht jo vetëm rumunët që jetojnë në territoret e shtetit, pra rumunët dakë, por edhe të gjithë popujt që dikur janë quajtur vllahë, që flasin një gjuhë që i ka rrënjët te latinishtja vulgare, të numërohen brenda popullit rumun. Jo vetëm arumunët në Greqi dhe Shqipëri, por edhe rumunët meglenë në Maqedoni, dhe istro-rumunët në Kroaci. Kjo do të thotë që pikëpamjet nacionale rumune i shohin të gjitha këto grupe si pjesë përbërëse të popullit rumun. Nga pikëpamja etnografe, kjo është një mënyrë e të menduarit e "Rumanisë së Madhe" dhe nuk i përgjigjet identitetit të këtyre njerëzve. Arumunët në Shqipëri dhe në Greqi kanë qenë shumë të lidhur me Bizantizmin dhe mësuan më shumë greqisht dhe shqip e u përshtatën me sunduesit osmanë. Ata nuk kanë pasur të bëjnë me rumunët në veri të gadishullit. Për 1000 vjet me radhë ata nuk kanë qenë në kontakt me Rumaninë dhe Moldavinë. Pra në princip është ide nacionaliste e shtetit rumun, që kërkon t`i ketë pjesë të tij këto grupe. Kjo ka bërë që në shekullin XIX Rumania të ngrinte një sistem arsimor në jug të Ballkanit, me mbi 100 shkolla dhe kisha, në mënyrë që t’i pengonte arumunët të vazhdonin të asimiloheshin gjuhësisht në shqiptarë dhe grekë dhe t`i rumanizonin, duke u përpjekur që atë gjuhë romane që u kishte mbetur, ta kthenin në rumune, dhe kështu të shtonin popullsinë rumune. Por nuk ia dolën mbanë me sukses.

Marrë me shkurtime

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›