E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalon moratoriumi, Berisha shpëton kuorumin

Parlamenti ka miratuar dje shtyrjen e moratoriumit të skafeve vetëm me një ndryshim, që  lejohen motorët e ujit për qëllime turistike. Në seancën e mbrëmshme ka kaluar me 72 vota pro ligji që shtyn edhe tre vjet të tjera ndalimin e përdorimit të të gjitha varkave me motorë në hapësirën detare të republikës. I vetmi ndryshim është bërë pas propozimit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, ku lejohen të përdoren motorët e ujit për qëllime turistike në plazhet e vendit. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili ka marrë fjalën në seancën e djeshme, ka deklaruar se ishte dakord për lejimin e motorëve të ujit, por ka shtuar se këto mjete janë një shqetësim jo i vogël për turistët. Ndaj së shpejti në Parlament do të vijë një draft që do të rregullojë përdorimin e tyre. Në seancën e mbrëmshme ka ekzistuar rreziku i ngeljes pa kuorumin e domosdoshëm, si pasojë e mungesës së ministrave: Fatmir Mediu, Arben Imami dhe Sokol Olldashi. Për disa momente, situata ka qenë e pasigurt dhe kryeparlamentarja Topalli ka pezulluar seancën për pak minuta, por gjithçka është zgjidhur nga Kryeministri Sali Berisha, i cili me prezencën e tij ka shpëtuar Kuvendin. Gjatë seancës së mbrëmshme, Parlamenti ka miratuar edhe ligjin që i heq kompetencat e tij. Kështu, po me 72 vota është kaluar ligji “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”. Në këtë ligj shfuqizohet neni i vjetër që i jep të drejtën Kuvendit për të miratuar pjesëmarrjen e forcave ushtarake shqiptare në misionet ndërkombëtare. Po në seancën e djeshme është miratuar edhe ligji mbi diskriminimin, sipas të cilit shteti merr në mbrojtje ata individë që i cenohet e drejta si pasojë e orientimeve të tyre seksuale, apo racës, gjinisë etj. Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi në nenin 1 të tij, garanton mbrojtjen e të gjithë qytetarëve, pavarësisht gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, bindjeve politike, fetare, ose filozofike, statusit ekonomik, arsimor ose shoqëror, shtatzënisë, përkatësisë prindërore, përgjegjësisë prindërore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes civile, vendbanimit, statusit shëndetësor, predispozicioneve gjenetike, aftësisë së kufizuar, përkatësisë në një grup të veçantë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›