E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionatet evropiane Borusia avancon drejt titullit

Borusia Dortmund është kthyer te fitorja në kampionatin gjerman, duke ruajtur në shtatë pikë diferencën në krye të renditjes së Bundesligës. Skuadra e drejtuar nga Jurgen Klop, e cila në dy ndeshjet e fundit kishte marrë vetëm një pikë, mundi me rezultatin e thellë 4-1 Hanover. Përtej shifrave, asgjë nuk ishte e lehtë për Borusian.

Hanover do të shënonte i pari në minutën e 57-të, por vendasit do të përgjigjeshin shumë shpejt, duke barazuar pas vetëm 2 minutash me Gëtze. Më pas Barrios dhe Groskrutz do të dërgonin topin në rrjetë, duke vulosur përfundimisht fitoren e Dortmundit, që është ngjitur në kuotën e 65 pikëve, 7 më shumë se Bajer Leverkusen që në ndeshjen e tij fitoi 1-0 në transfertë kundër Kaizerslauter. Një javë e suksesshme edhe për Bajernin e Mynihut, që pas fitores 1-0 kundër Mënshegladbah është ngjitur në vendin e tretë të renditjes.

Në kampionatin francez Lil ruan kryesimin e Ligës 1 me 4 pikë më shumë se Olimpiku i Marsejës. Skuadra e Rudi Garcias mundi me lehtësi 3-1 Caen, duke ruajtur diferencën me ndjekësit më të afërt të Marsejës. Formacioni i Didier Deshamps mori tri pikë të rëndësishme në transfertë pas fitores 1-0 kundër Lens.

Një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion ka hedhur Porto, që ka mundur 2-1 rivalët e përjetshëm të Benfikës. Pas kësaj fitoreje formacioni i drejtuar nga Boas ka thelluar në 16 pikë diferencën në vendin e parë ndërsa  vetëm matematika nuk e lejon të nisë festën e titullit.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›