E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portugali Porto shpallet fituese para kohe

Porto është shpallur përpara kohe kampione e Portugalisë, pasi ka fituar trofeun e 25-të në historinë e saj. Skuadra e drejtuar nga Vijas Boas mundi 2-1 rivalët e përjetshëm, duke thelluar në 16 pikë diferencën në krye të tabelës së renditjes.

Suksesi në stadiumin “Da Luz” ka mbyllur matematikisht garën për titullin kampion, kur kanë mbetur vetëm pesë ndeshje për t’u luajtur deri në fund të këtij sezoni në kampionatin portugez të futbollit.

Porto do të shënonte e para me Guarin, por Benfika do të barazonte shumë shpejt rezultatin me argjentinasin Saviola. Gjithsesi, miqtë do të shënonin sërish dhe do të ruanin avantazhin deri në fundin e ndeshjes, megjithëse në pjesën e dytë do të luanin për shumë minuta me karton të kuq.

Në fund, e gjithë festa ka qenë për Porton, e cila ka fituar titullin e 25-të kampion në Portugali. Skuadra e drejtuar nga Vijas Boas ka dominuar të gjithë sezonin, duke grumbullur 71 pikë megjithëse kampionati nuk është mbyllur zyrtarisht. Fitimi i titullit kampion ka bërë që mijëra tifozët të Portos të dalin në rrugë ndërsa më pasë bashkë me futbollistët kanë festuar suksesin në stadiumin “Dragao”.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›