E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionati i futbollit i Kosoves nis te transmetohet edhe per publikun ne Shqiperi

Krah për krah me një Superligë, do të jetë edhe një tjetër. Platforma dixhitale Supersport ka nisur transmetimin e ndeshjeve të kampionatit kosovar të futbollit dhe starti ka qenë i mbushur me emocione, tifozë dhe gola.

Ndeshja e parë e transmetuar ishte ajo mes Vëllaznimit të Gjakovës dhe Prishtinës, një përballje që në Kosovë e quajnë një derbi. Pasi prodhoi 4 gola, ndeshja përfundoi pa fitues, në barazim 2-2. Fatih Karahoda shënoi golin e parë që në minutën e 4-ët duke i dhënë avantazhin skuadrës vendase, për gëzimin e 6 mijë shikuesve në stadium.

Gjithsesi, prishtinasit reaguan dhe pas një presioni që prodhoi disa raste, miqtë barazuan në minutën e 20-të me anë të Qëndrim Sejdiut, madje që në ndeshjen debutuese të tij me fanellën bardheblu. Portieri Mushica, më në fund, u mposht.

Vëllaznimi e nisi shumë mirë edhe pjesën e dytë dhe shënoi golin për 2-1 me anë të Fisnik Papuqit, duke krijuar edhe një herë gjendje entuziazmi në stadiumin gjakovar.

Veçse, pa kaluar shumë kohë, Prishtina rivendosi barazpeshën, me gol të shënuar që në minutën e 65-të me anë të Ilir Berishës. Ky goditi me kokë topin e dhënë nga Faton Zejnullahu dhe e dërgoi atë në rrjetë. Fundi i ndeshjes e gjeti më mirë skuadrën mike, por ndryshim tjetër rezultati nuk pati. Pra, barazim 2-2.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›