E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanadaja – SHBA-ja, rekorde të medaljeve

Kanadaja është bërë nikoqiri më i suksesshëm i një olimpiadë dimërore pas garantimit se do të përfundojnë me më së tepërmi medalje të arta në Vancouver. Me 13 të arta, Kanadaja ka mposhtur rekordin e kaluar – i mbajtur bashkërisht nga SHBA-ja dhe Norvegjia – me nga 10.

“Jemi shfaqur të fuqishëm dhe ishim të bindur se e kemi planin e duhur. Por, as në ëndrrat tona më të mira nuk kemi menduar se do të fitojmë kaq shumë medalje të arta”, tha shefi i Komitetit Olimpik Kanadez, Chris Rudge.

Ndërsa, SHBA-ja ka garantuar total prej 37 medaljeve (e 37-a do të vijë në ditën e fundit të olimpiadës dimërore pas finales në hokej për meshkuj). Amerikanët do të largohen nga Vancouveri me numrin më të madh të medaljeve të përgjithshme në një olimpiadë dimërore.

Kanadaja fitoi tre medalje të arta në ditën e 16 dhe të parafundit të Lojërave. Në finalen e karlingut, në konkurrencën e meshkujve, Kanadaja mposhti Norvegjinë me rezultat 6-3 duke mbrojtur titullin olimpik të fituar katër vjet më parë në Torino.

Medalja e bronztë i takoi Zvicrës. Medaljen e dytë të artë në ditën e parafundit për Kanadanë e siguroi stafeta e meshkujve në rrëshqitje të shpejtë me patina. Medalja e argjendtë i takoi stafetës amerikane, ndërsa Holanda e mori të bronztën.

Jasey Jay Anderson solli gëzimin e tretë për Kanadanë, pas triumfit në sllallom të madh me snoubord. Ai në finale mposhti austriakun Benjamin Karl për 0.35 sekonda. E bronzta i takoi francezit Mathieu Bozzetto.

Kanadaja mund të fitojë medalje të tjera të arta në finalen e karlingut për meshkuj, ku do të takohen me Norvegjinë dhe në finalen e hokejit mbi akull, ku përballen me SHBA-në.

Garat në skijim alpin përfunduan me fitoren e italianit Giuliano Razzoli, i cili triumfoi në sllallom. Ai u bë italiani i parë që fiton medalje të artë në gara apline, pas Alberto Tombas, 18 vjet më parë.

Ivoca Kostelic nga Kroacia mori medaljen e argjendtë, ndërsa suedezi Andre Myhrer të bronztën. Polakja Justyna Kowalczyk fitoi medaljen e artë në vrapime me ski në 30 kilometra. E argjendta i takoi norvegjezes Marit Bjoegen, ndërsa Aino Kaisa Saarinen nga Finlanda e mori të bronztën.

Në garën e stafetës në rrëshqitje të shpejtë me patina në konkurrencën e femrave medaljes së artë iu gëzua Gjermania. Japonia mori të argjendtën, ndërsa e bronzta i takoi Polonisë. SHBA-ja fitoi medaljen e artë në garën e bobit në katërshe, ndërsa Gjermania dhe Kanadaja e kompletuan podiumin e medaljeve.

SHBA 9 14 13 36
Gjermania 10 12 7 29
Kanada 13 7 5 25
Norvegjia 8 8 6 22
Austria 4 6 6 16
Rusia 3 5 7 15
Koreja J. 6 6 2 14
Kina 5 2 4 11
Franca 2 3 6 11
Suedia 5 2 3 10

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›