E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanalizimet e bllokuara përmbytin rrugë dhe banesa në disa lagje të kryeqytetit

Allias, Kombinat, Komuna e Parisit dhe Tirana e Re, vuajnë pasojat e mungesës së investimeve nga bashkia 
Vërshimi i ujërave të bardha nga reshjet e dendura të shiu dhe bllokimi i kanaleve kulluese, ka përmbytur shumë banesa dhe rrugë të kryeqytetit, duke i bërë ato të pakalueshme. Reshjet e shiut të rëna dje, provuan edhe një herë se në shumë rrugë dhe lagja të kryeqytetit, nuk funksionojnë kanalet kulluese dhe pusetat. Vetëm në lagjen e Kombinatit, janë përmbytur 70 banesa private, për shkak të shpërthimit të një kanali kullues, duke i bërë ato të pabanueshme. Banorët e përmbytur kërkojnë ndihmë nga shtabi i emergjencave dhe organet shtetërore, që të ndërhyjnë në përmirësimin e situatës, sepse tashmë ndodhen jashtë banesave të tyre. Rreth 70- banesa private të përmbytura në rrugën e Qelqit në Kombinat, janë bërë plotësisht të pabanueshme, ndërsa e kësaj lagjeje kanë shkuar për tu strehuar tek të afërmit e tyre. Shkak i këtyre përmbytjeve janë bërë intensiteti i lartë i reshjeve të shiut të rëna gjatë ditës së djeshme dhe mosfunksionimi i rrjetit të kanalizimit. Altin Neli, banor në Rr, Qelqi në Kombinat, është shprehur se shtëpia e tij gjendet nën ujë, pasi aty pranë ka shpërthyer një kanal kullues. Ndërtimet e shumta pa kriter, kanë deformuar sistemin e kanalizimeve, si për ujërat e bardha ashtu edhe për ujërat e zeza.  Pa dyshim, në përmbytjen e rrugëve dhe lagjeve të kryeqytetit krahas reshjeve të shumta ka ndikuar edhe bllokimi i rrjeti të kanalizimit dhe pusetave. Përmbytja e shtëpive të këtyre banorëve për shkak të plasjes së kanaleve kulluese, ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, si në pajisjet elektro-shtëpiake, ashtu edhe në muret brenda dhe jashtë banesave. Ndërkaq, probleme serioze ka pasur në zonën e Alliasit, dhe në Rr, 5 Maji,  në varësi të minibashkisë Nr. 4, zonë kjo ku po kryhen kanalizime të reja dhe që njihet si më problematike në funksionimin e pusetave dhe kanalizimeve. Përmbytje të mëdha janë konstatuar edhe në lagjen Komuna e Parisit, ku ndërtesat e reja janë ndërtuar mbi sistemin e kanalizimeve. Ndërkaq, në këtë lagje janë përmbytur me dhjetëra banesa në katet e para të pallateve, gjithashtu shumë rrugë janë bërë të pakalueshme për qytetarët. Edhe në shumë rrugë të tjera të Tiranës, për të kaluar nga një trotuar në tjetrin, ishte thuajse e pamundur, pasi niveli i ujit i që vërshonte në rrugën e makinave i kalonte 30 cm, nivel i lartë ky për kalimtarët me këpucë. Përmbytjet e shumta në kryeqytet, kanë shkaktuar probleme dhe pengesa në qarkullim, jo vetëm për këmbësorët dhe dyqanet e kateve të para të pallateve, por edhe në qarkullimin e automjeteve. Edhe në trotuaret e Rr."Don Bosko", segmente të tëra me gjatësi prej disa metrash, ishin mbuluar nga uji, gjë e cila e bënte të pamundur kalimin nga këmbësorët.  Uji i cili vërshonte përgjatë të gjithë rrugës pa puseta e kanalizime, ka përmbytur jo vetëm rrugën kryesore, por ka depërtuar edhe në rrugicat e lagjeve, duke bllokuar tërësisht lëvizjen e banorëve, a thua se nuk jetojnë në Tiranë, por në ndonjë fshat në fushat e Lezhës. Kështu, edhe në rrugën e Porcelanit, uji dilte jashtë pusetave, derdhej në sipërfaqen e asfaltit, madje kalonte edhe në trotuar, duke bërë të pakalueshme segmente të veçanta të këtij aksi. Kjo situatë e pazakonte dhe tepër shqetësuese për banorët e kryeqytetit, krijohet sa herë që bie shi. Ndërkaq, edhe në ato lagja apo akse kryesoret ë kryeqytetit, ku nuk mungojnë kanalizimet dhe pusetave, ato janë dëmtuar nga hapja e themele për ndërtimet e reja shumëkatëshe. Mjaftoj një shi i zakonshëm i stinës, për të parë kaosin dhe amortizimin e sistemit të kanalizimeve në kryeqytet, ku më të humburit janë qytetarët e thjeshtë, të cilët nuk kanë mundësi të sigurojnë makina personale për të lëvizur në këso ditësh. Si pasojë e abuzimeve në ndërtimin e sistemit të kanalizimeve në Rr. 5 Maji dhe në disa lagje të Alliasit, është dëmtuar shumë edhe aktiviteti i biznesit të vogël. Ambientet para dyqaneve të kateve të para të pallateve, në disa rrugë të Tiranës, ishin të përmbytura nga uji, gjë e cila ul dinamizmin e aktivitetit të tyre.  Ndonëse disa rrugë të kryeqytetit janë rikonstruktuar kohët e fundit bashkë me sistemin e kanalizimeve, nuk i kanë shpëtuar përmbytjes së djeshme nga shiu.
Dëmtimi i rrjetit kanalizues nga ndërtimet e paligjshme
Përmbytjet e shumta të rrugëve dhe banesave të kateve të para, në pjesën dërmuese të rasteve, konstatohen pikërisht në ato zona ku ka më shumë ndërtime të reja. Një fenomen i tillë vihet re në zonën e Kombinatit, Tiranën e Re, Laprakë, Allias, Kinostudio, etj, ku gjatë ndërtimit të pallateve apo shtëpive të reja, është cenuar rrjeti kanalizues. Megjithatë, edhe gjatë ndërtimit të rrjetit kanalizues në rikonstruksionin e rrugëve, është konstatuar moszbatimi i kushteve teknike të domosdoshme. Ndërkaq, pallatet e reja shumëkatëshe të ndërtuara në këto zona, kanë cenuar rrjetin e kanalizimeve ekzistuese, duke e bërë këtë të fundit jofunksional. Kështu, rrjeti i kanalizimeve bllokohet ose devijohet në drejtime të ndryshme, duke bërë që ujërat të dalin jashtë pushtave mbi sipërfaqen e asfaltuar. Madje shpeshherë ka mjaftuar një shi mjaft i lehtë për të përmbytur trotuaret dhe për të përmbytur banesat e kateve të para. Gjatë dhënies së lejeve të ndërtimit, nuk janë marrë parasysh dëmtimet që mund të shkaktohen në rrjetin e kanalizimeve, si për ujërat e bardha ashtu edhe për të zezat. Kështu, edhe të ardhurit nga rrethet, kanë ndërtuar shtëpitë e tyre pa asnjë kriter mbi rrjetin e kanalizimeve, duke e shkatërruar atë.
Uji u ka mbërritur deri në gju për t'u hedhur nga një trotuar në tjetrin. Më problematike është paraqitur situata tek rruga "Komuna e Parisit" ku gjatë mesditës kalimi i bë thuajse i pamundur dhe një pjesë e garazheve të pallateve të zonës u mbushën me ujë. Veç tyre janë dëmtuar nga uji i tepërt  edhe disa prej dyqaneve të ngritura në pjesën e bodrumeve, si parukeri, apo minimarkete. Përmbytje të pjesshme ka pasur edhe në rrugën "Mine Peza" tek "Don Bosko" e tek rruga "Qemal Stafa". Por ajo që të vriste disi syrin dje ishte unaza e cila, ndonëse është një rrugë tërësisht e re pellgjet e stërmëdha me ujë i kishte përgjatë gjithë sipërfaqes së saj. Shkarkimi në disa prej pusetave të rrugës nuk bëhej fare. Në bulevardin e Kuq u ripërsërit për të disatën herë i njëjti rit. Pllakëzat e vogla për të cilat është dhënë aq shumë garanci kërcyen sipër, në pritje të punëtorëve që do t'i venë në vend sapo shiu të pushojë. Për shaka të vërshimit të reshjeve, uji ka hyrë në disa prej shtëpive në zonën e Farkës. Ura që lidh Farkën me rrugën nacionale Tiranë-Elbasan, është e pakalueshme. Disa automjete që janë përpjekur të kalojnë në këtë aks kanë mbetur të bllokuar, pasi depërtimi ka qenë i pamundur. Situata e djeshme është favorizuar edhe nga era e fortë e cila ka rritur intensitetin e reshjeve të shiut. Sipas specialistëve të shërbimit të meteorologjisë, moti i paqëndrueshëm do të na shoqërojë përgjatë gjithë kësaj jave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›