E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet droga e Lazaratit, por shpëtojnë dy shitësit

Gjirokastër

Droga e Lazaratit ka sjellë një tjetër operacion në Gjirokastër, ku janë arrestuar dy persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë. Gjatë operacionit “Befasia” janë kapur rreth 180 kg kanabis, që u realizua në një zonë malore në periferi të Lazaratit. Operacioni ka nisur rreth orës 23 e 30 minuta të dy netëve më parë, kur agjentët e policisë kanë marrë informacion se dy persona nga Lazarati po transportonin me kafshë një sasi të konsiderueshme lënde narkotike në drejtim të shpateve të malit Sopot dhe që ngarkesa e tyre kishte për destinacion Delvinën, Sarandën dhe më pas Italinë. Nëpërmjet këtij informacioni policia mësoi gjithashtu se një pjesë e rrugës do kryhej me kafshë transporti dhe më pas ngarkesa, pasi të arrinte në malin Sopot, në afërsi të vendit, ku janë vendosur antenat e televizionit dhe telekomunikacionit, ngarkesa do të merrej dhe transportohej për më tej nga dy persona të tjerë nga qyteti i Delvinës. Rreth 200 metra poshtë vendit ku janë vendosur antenat, në rrugën automobilistike që lidh fshatin Varfaj me malin e Sopotit, është bërë i mundur arrestimi i shtetasve Harilaos Loli, 22 vjeç, dhe Mirel Ademi, 25 vjeç, të dy lindur dhe banues në fshatin Varfaj të Delvinës. Ata u kapën me automjetin “Mercedes Benz”, me targa DL 23 37 A, i cili drejtohej nga Harilaos Loli. Policia ka zbuluar se drogën e kishin marrë nga dy persona nga Lazarati, që tashmë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim. Nga kontrolli i mjetit rezultoi se në bagazh dhe në sediljen e pasme kishte 132 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë të ndryshme si dhe një thes plastik, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›