E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tumoret e mushkërive, femrat në krye të listës

Studimi Sanatoriumi: Rritja e konsumuesve të duhanit në moshë të hershme, një nga shkaktarët kryesorë

Mund të duket e çuditshme, por është e vërtetë, ndër pacientët me probleme serioze në mushkëri, tashmë janë femrat. Statistikat për të prekurit nga tumoret, përputhen me ato të konsumit të duhanit në një pikë; në të dy sektorët statistikorë raportohet se është në rritje të vazhdueshme numri i femrave, konsumatorë të duhanit, por edhe të prekura nga tumori i mushkërive. Konkretisht sipas të dhënave dhe studimeve të kryera në vite nga spitali i sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi”, si dhe raportet e përgatitura nga Instituti i Shëndetit Publik çdo vit që kalon ndihet edhe më tepër shtimi i numrit të femrave duhanpirëse, si dhe numri i të prekurve nga tumori i mushkërive.

Tumori i mushkërive

Kanceri i mushkërive prek më tepër femrat se meshkujt. Ky përfundim është pasqyruar në një nga studimet disavjeçare që kanë kryer specialistët e sanatoriumit. Sipas të dhënave të “Shefqet Ndroqit”, raporti i të sëmurëve meshkuj-femra në 20-vjeçarin e fundit, është rritur me ritme të shpejta. Në vitin 1984, raporti meshkuj ferma ka qenë 11.8 me 1. Në vitin 1994, ky raport ka shkuar 11.9 me 1 dhe në vitin 2005, ky raport ka shkuar 8.8 me 1. Ndërsa numri i meshkujve që preken nga tumori në mushkëri vjen duke u ulur, numri i femrave po pëson rritje. Po ashtu, studimet e fundit të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik, tregojnë se fenomeni i pirjes së duhanit ka pësuar rritje, sidomos në gjininë femërore dhe në moshat e reja. Sipas të dhënave, 81 për qind e duhanpirësve fillojnë konsumimin para moshës 18-vjeçare.

Studimi

Qëllimi i kërkimit mes kartelave mjekësore të pacientëve ka qenë krahasimi i pacientëve nga sëmundjet pulmonare malinje, si dhe për të evidentuar ndryshimin e “sjelljes” së sëmundjes me kalimin e viteve. Studimi është bërë në tre dyvjeçarë dhe janë shqyrtuar 1476 pacientë të ndarë në tri grupe. Grupi i parë i tyre është ekzaminuar nga viti 1984 deri në 1985-n. Grupi i dytë i të sëmurëve që janë marrë në shqyrtim ka qenë nga viti 1994 deri në 1995-n dhe grupi i tretë i të ekzaminuarave ka qenë nga viti 2004 deri në vitin 2005. Në grupin e parë janë përfshirë në studim 420 pacientë, në grupin e dytë janë përfshirë 412 pacientë dhe në grupin e tretë 644 pacientë. Mosha mesatare e të prekurve nga sëmundjet malinje të mushkërive në grupin e parë është 58 vjeç, në grupin e dytë 60 vjeç dhe në grupin e tretë 64 vjeç. Kështu, mosha e shfaqjes së problemeve të mushkërive është në rritje. Sakaq, ISHP ka deklaruar se katër në çdo dhjetë persona në Shqipëri janë përdorues të duhanit dhe numri i femrave duhanpirëse vjen gjithnjë e në rritje. Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, në vendin tonë konsumohen nga 870 mijë duhanpirës mbi 6 mijë tonë duhan në vit dhe shpenzohen rreth 320 milionë USD për blerjen e tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›