E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapshticë, kapen 10 afganë në maune, prangoset shoferi turk

Afganët mësyjnë Kapshticën, kapen 10 në kufirin shqiptar, arrestohet shoferi turk. Kalimet e klandestinëve afganë nga Greqia drejt Shqipërisë, duket se janë kthyer në modën më të fundit, ndërsa kalimi për një person për këtë trampolinë drejt Italisë kushton jo më pak se 2 mijë euro. Kështu ka ndodhur edhe gjatë së djeshme, kur policia kufitare në pikën e kalimit të Kapshticës në rrethin e Devollit ka mundur të zbulojë në një maune të ngarkuar me karrige plot 10 shtetas afganë, të cilët kanë qenë të paushqyer. Policia shqiptare, pasi ka kryer të gjitha procedurat e nevojshme është përpjekur të marrë në pyetje shtetasit afganë, por nuk ka mundur të flasë veçse me njërin prej tyre, i cili i ka komunikuar në anglisht. Afganët, të cilët janë të gjithë të seksit mashkull nga isha 20-37 vjeç, kanë qëndruar më shumë se dy ditë në maunen me targa turke që vinte nga shteti grek, ndërsa kanë hipur në të në portin e Selanikut më shumë se 48 orë më parë. Madje kërkesa e tyre e vetme, porsa janë gjetur nga policia shqiptare në vendkalimin kufitar lidhej me atë për ujë të pijshëm. Menjëherë ndihma e parë i është dhënë nga policia shqiptare, e cila iu ka dhënë ujë afganëve të uritur dhe të etur, ndërkohë që i kanë ndihmuar atë edhe për ushqimin e tyre. Ndërkaq, pritet të përfundojnë të gjitha procedurat ndërsa shtetasit afganë do të kthehen sërish në Greqi, ku dhe do të vazhdojnë aventurën e tyre për të mbërritur sërish në vendin e tyre të luftës. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë kufitare, mësohet se identiteti i shtetasit turk që ka rënë në prangat e policisë, është Ahmet Rusen Oglu, 50 vjeç. Ndërsa akuza që rëndon mbi 50- vjeçarin turk që shkonte drejt Italisë është ajo e dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Email This Klikime: 8

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›