E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapshticë, nis largimi i emigrantëve që erdhën për votime

Në 24 orët e fundit është rritur fluksi i rikthimit të emigrantëve që erdhën nga Greqia për votimet e 28 Qershorit përmes pikës kufitare të Kapshticës. Burime zyrtare të Policisë kufitare shqiptare në këtë pikë bënë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, kanë udhëtuar drejt Greqisë mbi 250 emigrantë dhe 730 mjete. Dritan Shema, komandant i kësaj Policie tha se për përballimin në kohë dhe pa vonesa të këtij fluksi po punohet me 4 sportele, që janë të mjaftueshme për të kryer në pak minuta procedurat e kalimit të kufirit. Sipas Shemes, edhe nga pala greke punohet me ritme normale dhe gjatë 24 orëve të fundit kur dhe ka nisur kthimi masiv i emigrantëve nuk janë krijuar radhë të gjata makinash dhe pritje në territorin e doganës. Qindra emigrantë të tjerë i janë drejtuar pikës kufitare të Kapshticës që në orët e para të ditës së sotme dhe deri në mesditë, kryen procedurat e kalimit të kufirit 7 autobusë me emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi në linjat Korçë- Selanik, Korçë- Athinë etj, si dhe një numër i madh autoveturash. Rreth 40 mijë emigrantë u rikthyen nga pika kufitare e Kapshticës për të marrë pjesë në votimet e 28 Qershorit, pasi ministria e Brendshme e Greqisë garantoi  lëvizjen e lirë në të dy anët e kufirit.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›