E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e PS-së, dyfishim i pagesës së papunësisë dhe nxitje e prodhimit

27/04/2009  Rama premtime për përmirësimin e sektorit bujqësor

“Naftë pa akcizë për produktet bujqësore, pavarësisht rritjes së çmimit të naftës”

Programi i Partisë Socialiste premton dyfishimin e pagesës së papunësisë. Por nga ana tjetër dhe nxitjen e prodhimit për të arritur suksesin e dëshiruar mbi luftën kundër varfërisë dhe papunësisë. Një fakt i tillë është bërë i ditur nga vetë kreu socialist Edi Rama, i cili gjatë takimeve në komunat Ormen e Pirg të Qarkut të Korçës nuk ka vonuar të shpalosë premtimet e partisë që ai drejton për sektorin e bujqësisë. Kryesocialisti garantoi se me ardhjen në pushtet të PS-së asnjë familje nuk do jetojë nën minimumin jetik. Kështu, siç pati premtuar gjatë “Dialogut me Shqipërinë”, kreu socialist është rikthyer në fshat për të prezantuar zgjidhjet që parashikon programi i ri i PS-së për të gjitha familjet që jetojnë me prodhimin bujqësor. Në këtë mënyrë, në vijim të takimeve të tij në Qarkun e Korçës Rama zgjodhi të prezantonte pjesë të dokumentit qeverisës në fshatin Ormen. Sipas Ramës, ky dokument parashikon një ndryshim rrënjësor të raportit mes shtetit dhe ujqërve e fermerëve. Ndërkohë, duke u bazuar në atë çfarë është bërë apo dhe si është konceptuar fshati gjatë këtyre vjetve, Rama vlerësoi se “deri më sot fshati ka pasur statusin e jetimit. Parë në këtë vështrim, Rama premtoi se “pas 28 qershorit do të nisë një marrëdhënie e re mes atyre që qeverisin dhe atyre që prodhojnë në bujqësi”. Po kështu, gjatë fjalës së tij në këtë komunë kreu socialist u ndal në minimumin jetik, duke shpalosur dhe skemën e Partisë Socialiste mbi këtë çështje. “Do të shpallim edhe minimumin jetik, që do të thotë se ne nuk do të lejojmë që të ketë familje shqiptare nën minimumin jetik, duke filluar nga pagesa e papunësisë, që së paku do ta dyfishojmë. Por i gjithë koncepti ynë dhe thelbi i filozofisë tonë të re është se varfëria dhe papunësia luftohen duke nxitur punën, duke nxitur prodhimin, duke nxitur integrimin e familjeve që janë në ndihmë ekonomike drejt punës dhe drejt aktivitetit prodhues”, - vuri në dukje Rama. Kreu i PS-së, i shoqëruar dhe nga drejtuesit e lartë të PS-së Blushi, Majko, Dalipi e Ahmetaj, vijoi takimet me banorë të fshatit Pirg, duke pasur në fokus prezantimin e programit qeverisës. Në këtë takim Rama premtoi naftë pa akcizë për produktet bujqësore, pavarësisht rritjes së çmimit të naftës. Ndërkohë gjatë të gjitha takimeve kreu i selisë rozë premtoi për një qeveri me veshë, sy e zemër nga grupet e interesit. Sipas tij, çdo vendim nesër në qeverisje Partia Socialiste do ta marrë në konsultim dhe duke dëgjuar pikërisht zërin e bujqve. “Ne besojmë se pa ndryshuar jetën e fshatit, pa nxitur prodhimin në fshat, pa e siguruar këtë prodhim dhe pa u dhënë mundësi familjeve që jetojnë në fshat që të mund të kenë qetësi dhe mirëqenie, nuk ka Shqipëri evropiane. Nuk ka Shqipëri që jeton në paqe dhe mirëqenie”, - vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij. Po kështu, duke qëndruar po në këtë çështje, e cila është e prekshme për shoqërinë shqiptare, shtoi se “nuk ka familje shqiptare që jeton në qytet, të cilave nuk u dridhet dora kur shohin çmimet në stratosferë të atyre ushqimeve që vijnë nga matanë diellit, sepse qeveria nuk i sjell dot nga fshati në qytet, por i lë të kalben në fshat apo të hidhen nëpër lumenj, apo të varrosen në tokë për arsyen e thjeshtë dhe të vetme se në Shqipëri nuk ka qeveri dhe mbi të gjitha se në fshat ka një bujk dhe fermer shqiptar që gdhihet vetëm dhe ngryset vetëm”. Për këtë arsye, sipas tij, kjo histori do të përfundojë me 28 qershor. “Kjo histori e dhimbshme do të mbarojë më 28 qershor me votën tuaj, për një ndryshim të madh, që është ndryshim që do të fillojë nga fshati.” Synimi i Ramës dhe e përfaqësuesve të tjerë që e shoqëronin ishte të zhvillonin takime në shumë fshatra të Korçës, duke qenë se një pjesë e qenësishme e popullsisë merret me punën në bujqësi e blegtori.

Kodheli: “Stop” paradës së suksesit nga ministri i piramidave

Partia Socialiste reagoi ashpër ndaj deklaratës së mbajtur gjatë ditës së djeshme nga ministri i Financave Ridvan Bode. Ishte zëdhënësja e kryesisë së Partisë Socialiste Mimi Kodheli që u rikujtoi përfaqësuesve të kabinetit qeveritar aktual pasojat që i sollën vendit disa vjet më parë. Problemi i madh që qeveritarët e sotëm kanë me Shqipërinë është bindja e tyre fyese, se shqiptarët duhet të jenë të lumtur ndërkohë që varfëria e papunësia po i sfilit çdo ditë, çmimet po u rriten përditë, fuqia blerëse po u bie çdo ditë. Ministri i piramidave më 1996-n nuk mund të bëjë pas 13 vjetësh po atë paradë suksesi që përfundoi si s’ka më keq dhe ky popull nuk mund ta paguajë dy herë paradën qeveritare të përqindjeve që nuk kanë lidhje me realitetin. Më 28 qershor shqiptarët do të votojnë ndryshimin”, - u shpreh Kodheli, duke mos kursyer në këtë mënyrë gjuhën kritike dhe akuzuese ndaj qeverisjes aktuale.

Klosi takime në Fushë-Krujë

“Programi i ri i PS me ide, vizion dhe zgjidhje të reja”

Sekretari organizativ i PS-së Blendi Klosi zhvilloi një takim me banorë të Fushë-Krujës, ku prezantoi programin e ri të kësaj partie. Gjatë fjalës së tij Klosi premtoi se “PS-ja në qeverisje do të katërfishojë brenda mandatit të parë ndihmën ekonomike dhe paralelisht do të punësojë gjysmën e familjeve që sot gjenden në varfëri. “Punësimi, - tha Klosi, - do të jetë një pikë themelore e këtij programi.” Sipas tij, premtimet e PS-së nuk janë thjesht për të marrë votat, por janë pika të një programi qeverisës të mirëmenduar për të ndryshuar tërësisht të ardhmen e Shqipërisë. “Me këtë program ne do të kemi mundësi që në zgjedhjet e ardhshme të paraqitemi si forcë e re, si politikë e re, që në vetvete nuk ka premtimet, por ka vizion të ri, ka ide të reja, ka lidership të ri dhe të spikatur. Në fund të fundit, ka zgjidhje të reja për qytetarët shqiptar”, - vlerësoi Klosi. Sipas tij, PS-ja do ta rikonceptojë ndihmën ekonomike duke themeluar Fondin e Integrimit Social, që do të orientojë familjet në varfëri drejt punësimit.

PSD-ja për projektligjin e PAK-së

Bejtja: Lobing në Kuvend për kthimin e tij në ligj

Partia Socialdemokrate ka depozituar në Kuvend projektligjin “Mbi mbrojtjen dhe përfaqësimin e posaçëm të të drejtave të personave me aftësi të kufizuar”. Një fakt i tillë u bë dje i ditur nga deputeti i kësaj partie Engjëll Bejtaj, i cili sqaroi se ky projektligj, i hartuar nga Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK) iu paraqit gjithë grupeve parlamentare për të siguruar mbështetjen e për t’u futur në procedurën parlamentare për diskutim e miratim. “Grupi parlamentar i PSD-së, duke vlerësuar se projektligji në fjalë, nëse do të kthehej në ligj, do të ishte një kontribut me vlerë për realizimin e kërkesave të PAK-së, vendosi t’i japë mbështetjen e vet dhe bëri depozitimin në Parlament për të filluar procedurën për diskutim e miratim.

Duke vlerësuar se projektligji vjen në përputhje me filozofinë dhe programin elektoral të PSD-së, grupi i saj parlamentar angazhohet për të lobuar në Parlament, në mënyrë që të realizojë kthimin e projektligjit në ligj”, - vuri në dukje Bejtja gjatë fjalës së tij. Gjithashtu, duke qëndruar po në këtë çështje, deputeti socialdemokrat nënvizoi se “qeveria, e cila është mbytur nga korrupsioni, nuk ka kohë, sy dhe vullnet për të ndërmarrë politika të vërteta sociale, por konsumon vetëm demagogji, së cilës ka kohë që i ka dalë boja”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›