E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laze: Referendumi, do të verifikohen me kriteret juridike

Procedurat Anëtari i KQZ-së thekson se kërkesa e qytetarëve shqyrtohet në shtator

Kërkesa për hapjen e kutive me referendum nuk pengohet nga ligji apo Kushtetuta. Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Artan Laze, deklaroi dje për gazetën “Shqip” se nismat për referendum janë e drejtë e garantuar nga Kodi Zgjedhor dhe ligji themeltar i shtetasve dhe se ato nuk mund të gjykohen si të tilla përveçse mbi bazën e kritereve që parashikohen në këto dy dokumente. “E drejta për referendum është e garantuar nga Kodi Zgjedhor dhe Kushtetuta. Natyrisht ka disa kritere juridike të cilat rregullojnë procedurën në fjalë. Për këtë nuk ka afat shqyrtimi, pra një kërkesë e tillë mund të shqyrtohet edhe në muajin shtator”, tha Laze. Edhe pse është ende shpejt për të gjykuar sesa legjitimitet ka kërkesa e mbërritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga 15 qytetarë që kanë firmosur, gjithsesi ajo duket se krijon logjikën e një precedenti që e degëzon debatin politik për këtë çështje. Më konkretisht, një ballafaqim i saj me Kodin dhe Kushtetutën e bën joligjore atë për shkak të numrit të pamjaftueshëm të firmëtarëve. Refuzimi i PS-së për të marrë në konsideratë një nismë të kësaj natyre jep një ide për vlerën diversive që ka ajo, sidomos kur përpjekja e selisë rozë është përqendruar te ngritja e komisionit hetimor parlamentar. Sa i përket veprimeve të KQZ-së lidhur me këtë çështje dhe me përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme, Laze ka ritheksuar se ato do të shqyrtohen në muajin shtator. “Ne jemi të gjithë me leje dhe mund të them me siguri se puna e KQZ-së për këto çështje do të nisë në muajin shtator”, tha ai. Nënvizimi i elementit ‘kohë’ lidhet me dekretin e pritshëm të Presidentit të Republikës për zgjedhjet lokale të majit 2011, prej të cilit buron edhe një vendim i mundshëm i KQZ-së për asgjësimin e fletëve të votimit. Këto të fundit janë mjeti i fundit i opozitës socialiste për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit, për të cilën ajo është angazhuar prej një viti.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›