E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Mazhoranca të heqë dorë nga ideja e djegies së fletëve

Opozita Hysi: U desh një vit që Kryeministri të pranojë hetimin e zgjedhjeve

Reforma zgjedhore hidhet në tryezën e diskutimit politik si mjet negocimi. Dje, nga Himara, Kryeministri Sali Berisha teksa ka pranuar këqyrjen e materialeve zgjedhore, ka bërë të ditur nisjen nga puna sesionin e ardhshëm parlamentar të komisionit parlamentar për përmirësimet në Kodin Zgjedhor. Pa dhënë shpjegime rreth mënyrës së funksionalizimit të tij, Berisha ka nënvizuar një element shtesë që flet për hapin e ri propagandistik të shumicës: reforma do të jetë gjithëpërfshirëse dhe do të integrojë në vendimmarrje edhe partitë e vogla që janë “pjesë e realitetit politik”. Përkundrejt një vetoje të Partisë Socialiste që ka kushtëzuar reformën zgjedhore me hetimin parlamentar të 28 qershorit, mesazhi i djeshëm i Kryeministrit aktualizohet si një nismë që synon izolimin përfundimtar të çështjes “transparenca”. Reagimi i menjëhershëm i selisë rozë ka prekur pikërisht këtë temë, e cila po hyn në afatet e fundit praktike për shkak të afrimit të zgjedhjeve të reja lokale”. “U desh plot një vit që Kryeministri të kuptonte rëndësinë dhe legjitimitetin e kërkesës së opozitës, kërkesë e cila muaj pas muaji gjeti gjithmonë e më shumë mbështetjen e partnerëve dhe faktorit ndërkombëtar. Në këtë moment është tejet e rëndësishme që jo vetëm të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 2009, por që Sali Berisha, pas pranimit të kërkesës për hapjen e kutive, të heqë dorë nga ideja qesharake për të djegur fletët e votimit”, u shpreh dje nënkryetarja e grupit parlamentar të PS, Vasilika Hysi. Edhe njëherë opozita përsërit kërkesën e vet për hetimin e 28 qershorit në termat “radikalë” të hapjes së kutive të fletëve të votimit, e cila edhe njëherë dje është hedhur poshtë nga Sali Berisha. Për këtë arsye debati për transparencën, apo edhe negociatat Ruçi-Patozi për këtë çështje, mund të konsiderohen të mbyllura për sa kohë kreu i shumicës ka deklaruar se kufiri i marrëveshjes janë “kutitë e materialeve zgjedhore”. Në këtë kontekst që pritet të vërë në lëvizje PS, fiton rëndësi formula e gjithëpërfshirjes në kuadër të reformës zgjedhore, e cila pritet të ketë si sponsor edhe faktorin ndërkombëtar, përfshirë OSBE-në. Aspekti politik dhe loja që qëndron pas këtij paralajmërimi është fakti se një refuzim i vazhdueshëm i PS-së për të marrë pjesë në komisionin e posaçëm mund të instrumentalizohet si bojkot i saj, teksa pjesëmarrja në të do të hiqte mundësinë e artikulimeve politike që lidhen me legjitimitetin e qeverisë. Puna për reformën zgjedhore, pavarësisht se cilat do të jenë përfundimet e një hetimi, qoftë edhe mbi materialet zgjedhore, e kufizon vlerën e transparencës në një premisë për përmirësime teknike të ligjit. Edhe pse opozita ka deklaruar se me hetimin e zgjedhjeve nuk kërkon pushtetin në tavolinë, një zbulim i manipulimeve masive natyrshëm do të çonte në kërkesa politike ndaj qeverisë. Për këtë arsye, reforma zgjedhore e rimarrë si argument nga Berisha mund të sjellë një humbje në tavolinë për opozitën, e cila nuk mund ta refuzojë atë deri në pafundësi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›