E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këngë e valle shqiptare në Spanjë

TIRANE- Ansambli "Albanian folk dance" do të marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Mucias në Spanjë, ku për tetë ditë me radhë do të përcjellë traditën e këngëve dhe valleve shqiptare.

Nga data 2 deri në 10 shtator 20 artistët e këtij ansambli, të udhëhequr nga Arian Sukniqi, me kostume popullore tradicionale shqiptare, do të prezantojnë vlerat folklorike të Shqipërisë për një publik të huaj.

Në një prononcim për mediat, Sukniqi tha se programi i këtij ansambli përfshin disa numra të afirmuar nga treva të ndryshme të vendit. “Në program janë disa numra dhe është një program me këngë dhe valle, që tashmë kanë hyrë në fondin e artë të folklorit shqiptar dhe që sjellin vlera artistike dhe etnofolklorike”, është shprehur Sukniqi. Ansambli nga Shqipëria do të konkurrojë mes 20 grupeve nga e gjithë bota.

Sukniqi, koreograf edhe i musical “Rituali i jetës", tha gjithashtu se pas shfaqjeve në Tiranë dhe në rrethe ai do të shfaqet në disa vende të botës. Më i afërti pritet të jetë koncerti në Maqedoni, më pas në dhjetor në Francë, etj.

“Rituali i jetës” është një musical me këngë dhe valle shqiptare, shfaqja e të cilit jashtë vendit do të njohë më mirë të huajt me pasurinë folklorike të Shqipërisë.
(s.g/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›