E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimi i Ngjelës: Kushtetuta do të ndryshojë

TIRANE- Aleatët e Edi Ramës kërcënojnë maxhorancën qeverisëse se në rast të refuzimit të paketës kushtetuese të opozitës, do të ngrihet populli në protestë. Ata kundërshtojnë çdo lloj dialogu me qeverinë dhe kryeministrin Sali Berisha duke e akuzuar atë si manipulues të zgjedhjeve lokale të 8 majit. Si një nga kundërshtuesit e ashpër të ndryshimeve kushtetuese në 2008-ën, aleati i socialisteve Spartak Ngjela deklaron se paketa e ndryshimeve qe opozita do të paraqesë për ndërhyrjen në ligjin themeltar të shtetit është e panegociueshme. Kreu i Partisë për Ligj dhe Drejtësi ka sigurinë e plotë se kushtetuta do të ndryshojë si rruga e vetme për rivendosjen e demokracisë, pavarësisht qëndrimit kundër kryeministrit Berisha. "Ndryshimet e Kushtetutës Saliu nuk i pranon, se mezi i ka marrë për të manipuluar vazhdimisht sistemin. Opozita do të paraqesë një paketë kushtetuese edhe të ligjeve esenciale me të cilën nuk negociohet. Në qoftë se Saliu nuk e pranon do ta marrë populli si objekt të lëvizjes së tij. Pse? Sepse Shqipëria është në një ngërç të madh institucional në funksion të demokracisë. Ka degraduar në një fashizëm oriental sepse janë pushtuar të gjithë institucionet. Institucionet merren në dy forma ose me forcën e popullit në rrugë dhe rikthehet demokracia në Shqipëri nëpërmjet votës së lirë, ose me presion për të pranuar një Kushtetutë, e cila do të risistemojë demokracinë në Shqipëri" - tha Ngjela, për Gazeta Shqiptare.
Në ndryshim nga aleatët e tjerë të socialistëve, si Gjinushi, Milo e Ndoka, të cilët kanë shprehur pakënaqësi të mëdha për mënyrën sesi forca më e madhe politike në këtë kamp po menaxhon situatën pas zgjedhjeve, Ngjela deklaron se Partia Socialiste veproi drejt dhe rezultati qe i dukshëm. "Partia Socialiste ka operuar shumë saktë. Bëri një betejë dyvjeçare e cila si rezultat mori gjithë Shqipërinë dhe provoi ndërkombëtarisht që Saliu me gjithë bandën e tij është një vjedhës votash", - tha Ngjela. Ai gjykon se opozita nuk duhet te ketë asnjë marrëdhënie dialogu me maxhorancën, të cilën ai e etiketon si uzurpatore të institucioneve. Partia Socialiste pritet t'i propozojë maxhorancës ndërhyrje në Kushtetutë, sa i takon ligjeve të rëndësishme që kërkojnë 3/5 e votave në parlament. Mësohet se propozimet janë qëndrime politike të selisë rozë, ndërsa detajomi i tyre juridik pritet të bëhet nga ekspertët e fushës kushtetuese. Një pikë tjetër e rëndësishme në propozimet e socialistëve për ndryshimet në Kushtetutë është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, një reformë kjo e kërkuar edhe nga ndërkombëtarët.
(GSH/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›