E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Ministrave vendos për krijimin e fondit të inovacionit

TIRANË- Këshilli i Ministrave vendosi sot krijimin e Fondit të Inovacionit, me vlerë të përgjithshme 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, për një kohëzgjatje zbatimi 4 (katër) vjet, për periudhën 2011 – 2014 ndëra zbatimi i skemës fillon këtë vit, me një vlerë prej 4 000 000 (katër milionë) lekësh.
"Fondi i Inovacionit iu jep ndihmë, në formë subvencioni të drejtpërdrejtë, ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, deri në 400 000 (katërqind mijë) lekë. Në varësi të vlerësimit për projektin e dorëzuar nga aplikanti/tët, skema mbulon nga 30% deri 50% të kostove të pranueshme dhe të miratuara, brenda kufirit të lartpërmendur',thuhet në vendimin e publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu në vendim bëhet e ditur se cilat janë ndërmarrjet që mund të përfitojnë nga Fondi i Inovacionit sipas kushteve të përcaktuara ndërsa sqarohet se "pagesa e subvencionit të bëhet në fund të projektit, kundrejt faturës së shpenzimeve të kryera".
"Procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit të Inovacionit, e cila miratohet nga Bordi i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (më poshtë AIDA). Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përfshihen në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila krijon një zë të veçantë për këtë qëllim, për llogari të AIDA-s', thuhet në vendimin e qeverisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›