E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët braktisin zyrat në orarin e vizitave, pacientët me orë të tëra në radhë

Pacientët nga rrethet udhëtojnë disa ditë për të bërë një vizitë pranë mjekut specialist
Përveç "gangrenës" së përhershme të barnave dhe mungesës së shtretërve në disa pavijone të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza", viti 2009 ka startuar edhe me disa probleme të tjera në shërbimin shëndetësor. Pacientë të ndryshëm të ardhur nga rrethet e vendit, në klinikat e sëmundjeve të brendshme (Echo zemre), ankohen se presin për orë të tëra në radhë për të bërë një vizitë me rekomandim nga rrethi përkatës. Pjesa më e madhe e tyre janë të moshuar dhe të pamundur fizikisht për të përballuar radhën e gjatë në pritje të mjekut, megjithatë, është e vetmja rrugë që mund të ndjekin për të përmirësuar shëndetin e tyre. Jam nisur nga Mallakastra që në orën 5:00 të mëngjesit dhe ka rreth 3 orë që pres pas derës. Dua të vizitohem patjetër, por sot nuk kam shpresa sepse mjeku nuk ka ardhur akoma. Kam ardhur me rekomandim nga rrethi im dhe jam i detyruar që të qëndroj në Tiranë, në mënyrë që të kryej vizitën e domosdoshme në ditët në vazhdim, u shpreh një 65- vjeçar i ardhur nga Mallakastra. Ndërsa orari i pritjes së pacientëve është saktësuar prapa derës së klinikës; 11:00 - 14:00, ora shënon 13:30, por mjeku nuk ka ardhur ende dhe në radhë janë mbi 30 persona. Me gjithë nismat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë, Qendra Kombëtare e Standardeve, Cilësisë dhe Akreditimit për rishikimin dhe kontrollin në tërësi të shërbimit shëndetësor, abuzimet në shkeljen e ligjit të Kartës së Pacientit, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë evidente në pavijonet e QSUT. Këtë e dëshmojnë rastet konkrete të përditshme ku qytetarët përballen me dyert e spitalit. Kam ardhur nga Miloti për vizitë. Vuaj nga reumatizma. Kam paguar faturën e regjistrimit që në mëngjes dhe pres doktorin që të vijë, ndërsa ora po kalon 14:00, pra po kalon orari zyrtar për tu vizituar. E kam të pamundur të qëndroj në radhë kaq gjatë, shprehet një e moshuar 83- vjeçare, e cila pret në Pavijonin e Reumatologjisë.
Problemi i vizitave
Pacientët e ardhur nga rrethet zënë përqindjen më të lartë të personave që kërkojnë të bëjnë vizitë në klinikat e QSUT. Një pjesë e mirë e tyre pa rekomandim nga mjeku, por një pjesë tjetër edhe me rekomandim nga mjeku i rrethit, pacientët nga rrethet vijnë në QSUT për një shërbim më të specializuar. Por sapo hyjnë në ambientet e QSUT, përballen me vështirësitë e shumta, që nga gjetja e mjekut, e deri tek shtrimi në rastet e nevojshme. Në Qendrën Spitalore Universitare, përveç zyrave të mjekëve, funksionojnë dhe dy qendra konsultash, ku çdo mjek është i detyruar të zhvillojë 10 konsulta në ditë. Por shumë pacientë preferojnë edhe zyrat e mjekëve, duke "ngulmuar" që ta përzgjedhin mjekun e vizitës. Në këtë mënyrë, mjekët zhvillojnë vizita edhe në zyrat e tyre ku kanë të afishuara edhe oraret, edhe në qendrën e konsultave ku sigurisht që i pret një orar i caktuar. E në përpjekje për të zbatuar të dyja oraret, mjekët duket se nuk e zbatojnë mirë as njërin e as tjetrin. Pacientët presin për orë të tëra nëpër pavijone, madje një pjesë e tyre rikthehen sërish edhe në ditët e ardhshme, duke u shtuar mundimeve të sëmundjes edhe problemet financiare si dhe ato fizike.          

************************************************
Higjiena në pavijone, jashtë standardeve të duhura
 
Higjiena në QSUT, duket nga një vëzhgim i thjeshtë që është jashtë standardeve të normëzuara. Grumbullimi i mbeturinave në ambientet përreth qendrave spitalore, përbën një rrezik kërcënues për jetën e pacientëve. Mikrobet që qarkullojnë në sallat e operacionit, repartin e renimacionit dhe të infektivit janë kërcënuese për pacientët me imunitet të dobët. Në këtë mënyrë, lidhur me situatën aktuale të higjienës QSUT, është shkelur ligji i Kartës së Pacienti, i cili thotë, Pacienti ka të drejtë të kërkojë higjienë në dhomën e tij dhe të kompletohet me materiale të buta të cilat duhet ti marrë në dorëzim dhe ti mirëmbajë ato. Natyrisht, logjika na të çon të mendosh se janë bërë abuzime në përcaktimin e mënyrave të tenderimit dhe rimbursimit të barnave dhe dizifektantëve për Kujdesin Shëndetësor. Shumë pavijone në QSUT, të mbingarkuara me mikrobe të ndryshme. Përveçse pacientëve me imunitet të dobët, jemi të prekur edhe ne mjekët që punojmë çdo ditë këtu. Përgjegjëse për këtë situatë është ndërprerja e reformave në shëndetësi dhe mungesa e pajisjeve higjienike dezifektante në spital, ose vullneti i pakët për ti përdorur në dobi tonë këto pajisje higjienike, u shpreh një mjek për gazetën Sot.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›