E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kidnapohen fëmijët e kundërshtarëve

Një skenë tashmë e njohur nga diktaturat e Amerikës Latine. Studentja e informatikës, Yara Chammas (22) dhe 11 miq të saj, të mërkurën e kaluar dolën për darkë në restorantin Ninar, në pjesën e vjetër të Damaskut. Siç besohet, në restorant hyri një grup i armatosur policësh sekretë, dhe që të gjithë u dërguan në drejtim të panjohur.

Bëhet këtu fjalë për vajzën e Michele Chammas, që është njëri prej avokatëve më të njohur sirian, që mbron shumicën e islamistëve dhe të politikanëve opozitarë në Siri.

Yara nuk u kidnapua për shkak të bindjeve të saj radikale, por me qëllim të ushtrimit të presionit mbi babanë e saj.

“Vajza ime nuk është salafiste, dhe nuk është e angazhuar në asnjë formë tjetër”, pohon babai i Yara’s, me mendimin e të cilit pajtohet edhe ish-diplomati francez, Ignace Leverrier, i cili mban në blog për ngjarjet në Siri.

Avokati dhe kolegu i zyrës së Michele Chammas, Al Bounni, nënvizon se mendohet që Yara dhe miqtë e saj janë dërguar në të ashtuquajturin ‘Departament Palestinez’, siç quhet njëra prej qendrave më të rëndësishme hetuese e policisë sekrete siriane. Në ndërkohë është kërkuar edhe ndërmjetësimi i prokurorisë së shtetit. Por, përgjigje ende nuk ka.

“Regjimi po godet të gjithë ata që nuk po i nënshtrohen dhe ata që në çfarëdo mënyre po shprehin ndonjë qëndrim pro-opozitar. Po godet aty ku dhembë më së shumti - prandaj edhe po kidnapohen fëmijët”, thekson ish-diplomati Leverrier.

Iidnapimi i Yara’s ndodhi në ditën kur (në web-faqen All4Syria) Chammas publikoi pjesën e tretë të reportazhit të tij, të quajtur “Të krishterët e Sirisë dhe Frika nga Ndryshimet”. Aty Chmmas shkruan se, nuk është aspak e habitshme që shumica e liderëve fetarë e përkrahin regjimin sirian, për arsye se në këtë mënyrë ata mundohen t’i shpëtojnë privilegjet me të cilat i bleu presidenti al-Assad, edhe pse kjo është në kundërshti të plotë me traditën e një të krishteri lindor dhe me vetë moralin krishterë.

Chammas kritikoi edhe patrikun maronit katolik, Bechar Rai, i cili për agjencinë Reuters deklaroi se, regjimi sirian “është më së afërmi demokracisë krahasuar me gjithë Botën Arabe”.

Pushtetit sirian i konsideron si shumë të rrezikshme aktivistët opozitarë që shkaktojnë paqartësi në raportet mes institucioneve dhe kishave, sepse për regjimin mbështetja e liderëve fetarë është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Edhe pse kushtetutën e re (që u miratua me referendumin e 26 shkurtit) Chammas e kritikoi sistematikisht dhe në mënyrë shumë precize, ai tani thirret në nenin 53 të saj, në të cilin thuhet se të gjitha arrestimet duhet të kryhen vetëm pas dhënies së urdhrit adekuat të gjykatës.

“Ekziston një traditë e tërë e presioneve ndaj kuadrove të papërshtatshëm, që bëhet nëpërmjet maltretimit të të afërmve të tij”, përkujton Leverrier.

Nëpër blogjet opozitare siriane mund të lexohet edhe lajmi për kidnapimin e bashkëshortes dhe të gjashtë fëmijëve të gjeneralit Fayez Amru, i cili dezertoi nga ushtria dhe iu bashkua forcave kryengritëse, dhe që tani mban postin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë Revolucionar Ushtarak. Është kjo një masë që po aplikohet si hakmarrje, ngase që nga fillimi i këtij muaji nga ushtria dezertuan edhe afro 50 oficerë tjerë të lartë, në mesin e të cilëve gjashtë gjeneralë dhe katër kolonelë. Së këndejmi, këto kidnapime tani shihen si porosi ndaj atyre që mbase ende mendojnë ose planifikojnë të kalojnë në radhët e revolucionarëve sirianë.

Këto lloj kidnapimesh i pari i aplikoi babai i presidentit Bashar al-Assad, Hafez al-Assad )që ishte president i Sirisë mes viteve 1971 dhe 2000). Ai asokohe i kidnaponte fëmijët e shefeve të Vëllazërisë Myslimane.

Ndryshe, Bashar al-Assad kidnapimin e parë të madh e kreu në vitin 2001, atëherë kur deputeti i pavarur, Riad Seif, foli publikisht për monopolin e telefonisë mobile (që është edhe një manovrim tjetër korruptiv i familjes presidenciale). Djali i Seif u zhduk dhe nuk u gjet më kurrë, ndërkohë vetë Riad u dënua me pesë vjet burg, e pastaj u dërgua në izolim dhe u detyrua të bankrotonte materialisht.

Njëvjetori i kryengritjes

Më 15 mars u bë një vit nga fillimi i kryengritjes gjithnjë e më të dhunshme popullore kundër regjimit sirian. Pavarësisht bombardimeve të bastioneve kryesore të kryengritësve, qyteteve Homs, Dera dhe Idlib, rezistenca kundër regjimit të al-Assad po vazhdon.

As në njëvjetorin e kryengritjes në Siri dhuna nuk u ndal. Forcat qeveritare forcuan ofensivën në veri të vendit, në provincën Idlib. Sipas raporteve të aktivistëve sirianë, atje deri të enjten janë vrarë të paktën 40 persona.

Sipas OKB’së, në Siri deri më tani janë vrarë rreth 8,000 persona dhe janë zhvendosur afro 230,000 të tjerë, 30,000 prej të cilëve janë larguar nga vendi.

Sipas Ministrisë së Jashtme turke, vetëm gjatë ditës së enjte në territorin e Turqisë kanë hyrë mbi 1,000 shtetas sirianë.

Nga ana tjetër, Arabia Saudite ka mbyllur të mërkurën ambasadën e saj në Damask, duke iu bashkuar kështu Britanisë së Madhe, Spanjës, Francës, Italisë, Kanadasë dhe SHBA’ve, që tashmë i kanë mbyllur përfaqësitë e tyre diplomatike atje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›