E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klubet në borxhe

Klubet e basketbollit janë të mbushur deri në fyt me borxhe ndaj Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Sipas administratës së FBK-së, 7 klube të elitës së basketbollit kosovar nuk i kanë kryer disa obligime ndaj tyre, duke përfshirë këtu kuotizimet e papaguara, dënimet e shqiptuara dhe regjistrimet e lojtarëve.

Për gabime teknike dhe të tjera, kampioni aktual, Sigal Prishtina, ka borxh ndaj FBK-së, total 200 euro. Bashkimi ka borxh 775 euro, prej tyre disa gabime teknike, e mbi të gjitha regjistrimi i tre basketbollistëve të huaj në FBK. Trepça kishte borxh në FBK 300 euro, ndërsa pas licencimit të trajnerit Panqe Milevski, borxhi i këtij klubi u ngrit në 600 euro.

Peja është klubi me më së shumti borxhe. Përpos 1 mijë eurove borxh që ka ndaj FBK, ky klub duhet ta paguajë edhe kuotizimin, që kushton 1500 euro, që në përgjithësi i bie 2500 euro borxh.

Edhe Kosova e Vushtrrisë duhet ta paguajë kuotizimin prej 1500 eurosh, plus 375 euro borxh, që i bie 1875 euro. Kolegji Eurosporti ka borxh 375 euro +750€ për kuotizim, që i bie 1125 euro borxh.

Dhe në fund Bambi. Skuadra serbe nga Mitrovica ka obligime ndaj FBK-së me vlerë prej 350 eurosh. Nga këto shifra, totali i të gjitha borxheve të Superligës ndaj Shtëpisë së Basketbollit kosovar arrin në 7425 euro.

Sipas FBK-së, të gjitha klubet, lojtarët, trajnerët, përfaqësuesit zyrtarë që kanë obligime financiare ndaj FBK-së, nuk kanë të drejtë loje ose kryerje të detyrës zyrtare që nga ndeshjet e xhiros së radhës, këtë fundjavë.

Klubet të cilat nuk i kryejnë obligimet e lartpërmendura, nuk do të mund ta zhvillojnë xhiron e radhës. Gjithashtu, trajnerët të cilët nuk e kanë bërë pagesën e licencimit ndaj Shoqatës së trajnerëve, nuk do të kenë të drejtë ta kryejnë funksionin në ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›