E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegjet lënë në fuqi masën “arrest me burg” për Kumbaron

Kolegjet e bashkuara pranë Gjykatës së Lartë lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Ilir Kumbaron. Dokumenti voluminoz prej 19 faqesh, ku zbardhet vendimi i kolegjeve të bashkuara i hap rrugën ekstradimit si dhe izolimit në burg të Ilir Kumbaros, i cili akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin 1997.

13 gjyqtarët vendosën me një diferencë prej vetëm 1 vote, 7 me 6, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ky vendim unifikues e cilëson si të përputhshëm me ligjin, vendosjen e masës së sigurimit në çdo fazë të proçedimit penal. Pas kalimit të çështjes nga gjykata e Tiranës, në atë të krimeve të rënda avokatët mbrojtës kërkuan edhe shfrytëzimin e masës ndaj Kumbaros, me arsyetimin se çështja ishte shfuqizuar dhe masa e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë nuk mund të ngelej në fuqi.

Pas lënies në fuqi të masës së arrestit me burg edhe nga Gjykata e Krimeve të Rënda,çështja kaloi pranë Kolegjeve të Bashkuara në Gjykatën e Lartë. Tashmë me vendimin e Kolegjeve të Bashkuara i hapet rruga proçedurave të ekstradimit të Kumbaros, i cili vetëm pak kohë më parë u la i lirë nga policia britanike ku ai fshihej prej kohësh. Ish punonjësi i SHIK-ut Ilir Kumbaro akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha në vitin 1997.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›