Komorowski:Polonia mbështet integrimin e Shqipërisë
"Shqipëria po luan një rol të padiskutueshëm në Ballkan, si një faktor paqeje e stabiliteti e cila do të garantojë integrimin e saj, dhe Polonia do e mbështesë vendin tuaj në këtë proces". Deklarata është bërë nga kryetari i delegacionit të parlamentit polak, Bronislaw Komorowski,në takimin që pati me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Shqipëria po luan një rol të padiskutueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si faktor paqeje, stabiliteti dhe moderacioni në përpjekjen për integrimin e plotë euroatlantik dhe evropian të të gjithë rajonit", u shpreh Komorkowski. Komorowski siguroi për mbështetjen e plotë që Polonia do t'i japë Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në si dhe tё integrimit të plotë të Shqipërisë si anëtare e Bashkimit Europian. Nga ana e tij, ministri Basha, bëri një ekspoze të zhvillimeve në vend, duke u ndalur në konsolidimin e reformave ekonomike, atyre politike si dhe nё hapat e hedhur drejt integrimit evropian të saj. Basha falenderoi kryetarin e parlamentit polak për rolin që Polonia ka luajtur si partner i sigurt në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.