Kompania angleze “Zomax Ag” do të ndërtojë Portin e Vlorës
Një investim gjigant pritet të kryhet në qytetin e Vlorës, pikërisht për ndërtimin e portit të kontenierëve. Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për ndërtimin e portit të kontenierëve në pyllin e Sodës në Vlorë, si dhe për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë. Kryeministri Berisha tha se për shkak të thellësisë së ujërave të saj, Vlora do të ketë një nga portet më të mëdha të Mesdheut. Kompania angleze që do të ndërtojë portin e kontenierëve është “Zomax Ag”. Investimi në total deri në fund të projektit pritet të shkojë në afro 1.2 miliard euro dhe kjo do bëjë të mundur punësimin e rreth 2000 personave në qytetin e Vlorës. Kryeministri ka vlerësuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë investimin që do të kryhet, i cili pritet të kthejë një vëmendje tjetër ndaj qytetit jugor. “Një kompani e madhe britanike tregon interes për të ndërtuar në Vlorë një nga portet më të mëdha të Mesdheut. Vlora është përmendur me qindra e mijëra herë si vendi më i përshtatshëm për portin më të madh të vendit, për shkak të thellësisë së ujërave. Por i takoi qeverisë sonë që këtë ëndërr ta shndërrojmë në realitet. Vlora do të ketë një nga portet më të mëdha të kontenierëve të Mesdheut. Porti do të jetë në zonën tek pylli i Sodës”, - ka theksuar Kryeministri. Nga ana tjetër, Kryeministri ka shtuar se kjo zonë do të ketë së shpejti edhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme të transportit. “Kjo zonë, së shpejti, do të ketë infrastrukturën më të mirë, autostradën me katër korsi, ka hekurudhën, të gjithë infrastrukturën e nevojshme të transportit dhe nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe aeroportin dhe do ta ketë. Faktikisht, Vlora shndërrohet në një ndër portet më kryesore të zhvillimit të vendit. Kompania ka bërë punë të madhe. Krahas portit, do të jetë dhe zona e lirë, përveç zonës industriale që sipas disa njoftimeve, grupi i biznesmenëve vlonjatë po ecën dhe ne duhet të shohim mundësitë ta çojmë rrugën aty, sipas premtimeve dhe t’i ndihmojmë me infrastrukturën”, - u shpreh Kryeministri, duke siguruar se interesin e tyre shumë të madh, qeveria do ta mbështesë me infrastrukturën e plotë të zonës.
Porti i ri i kantiereve në Vlorë, fazat si do të ndërtohet
Porti i Vlorës është i vendosur në një gji të gjerë drejt skajit jugor të bregdetit të Republikës së Shqipërisë. Ai ka disa avantazhe si pasojë e vendndodhjes, i cili është relativisht afër linjës kryesore nga lindja në perëndim të rrugëve detare që kalojnë përmes ngushticës së Gjibraltarit dhe kanalit të Suezit. Projekti është përcaktuar në këtë zonë, meqenëse i përmbush të gjitha kërkesat për të ndërtuar një port të thellësive të mëdha, që është një nga kushtet e përdorimit të anijeve të mëdha transportuese të kontenierëve, si dhe ofron mundësinë për një sipërfaqe të nevojshme në zhvillimin e një zone të lirë (free-zone), e cila shoqëron këto lloje portesh. Në të vërtetë, kjo zonë është ndoshta e vetmja në Adriatik që ka në mënyrë natyrore ujin me thellësi të madhe që arrin në 20m LAT (N.B. 18 metra është thellësia për brezin e ri të kontenierëve të anijeve në Post Panamax Plus). Zona është gjithashtu e rrafshët dhe ka forcën e erës dhe të dallgëve relativisht brenda kufijve të pranuar, si dhe ka kushtet sizmike optimale dhe për këto arsye është zgjedhur për këtë propozim. Projekti do të zhvillohet në katër faza, ku secila ka rëndësinë e vet. Faza e parë konsiston në përgatitjen e dallgëthyesit 5,050 m i gjatë, 2 vende ankorimi (kalata) për Super Post Panamax dhe 60 ha shesh kontenierësh.
Faza e dytë është përgatitja e 2 vende ankorimi (kalatave) për Post Panamax dhe 70 ha shesh kontenierësh. Faza e tretë është përgatitja e 1 vendi ankorimi shtesë për Post Panamax dhe 25 ha shesh kontenierësh. Faza e katërt dhe e fundit parashikon përgatitjen e 2 vendeve ankorimi shtesë për konteinerët Post Panamax, 2 vende ankorimi RoRo dhe 10 ha shesh kontenierësh. Është parashikuar që fazat 1 dhe 4 mund të ndërtohen të parat. Kjo mund të përfshijë dispozitën, e pikërisht rreth 5 kilometra valëpritës, dy Super Post Panamax, dy Post Panamax, dy RoRo dhe rreth 70 hektarë oborri për kontenierin, dhe mund të lejojë më shumë se 1,500,000 TEU për vit (rreth gjysmën e kapacitetit në të cilin mund të zënë faza e 2 dhe 3 për të qenë të plotësuara).
Financimi dhe përfitimi i projektit
Sipas specialistëve të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, vlerësimi i kostos së ndërtimit është llogaritur me faza. Sipas tyre, vlerësimi i kostos së ndërtimeve civile për zhvillimin e plotë (Faza 1,2,3,4) llogaritet në afro 1.180.454.292 euro dhe vetëm faza 1 llogaritet në 533.208.277 euro. Këto kosto janë të përllogaritura pa përfshirë detyrimet fiskale. Ndërtimi i fazës 1 të punimeve do të kërkojë minimalisht 30 muaj për të përfunduar dhe për të nisur operimet që përfshijnë mobilizimin dhe instalimet në terren. Duke pasur parasysh që të gjitha fazat do të ndërmerren në vazhdim, do të duhet një kohë totale ndërtimi prej 48 muajsh. Projekti do të financohet tërësisht nga ofertuesi pa nevojën e garancive dhe fondeve të shtetit. Qeveria shqiptare angazhohet të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës, në mënyrë që porti të ketë komunikim jo vetëm kombëtar, por edhe rajonal. Sipas propozimit të paraqitur në fazën e parë, porti do të ketë një kapacitet prej rreth 1.5 milion TEU, me sipërfaqe rreth 150 ha, me një investim të huaj prej rreth 500 milionë eurosh, pa pjesëmarrjen dhe garancinë e shtetit shqiptar. Investimi për të katër fazat parashikohet rreth 1.180 miliard euro. Ndërtimi mund të japë shumë lehtësi për fundin dhe funksionimin e Korridorit VIII dhe mund të shënojë një hap strategjik për Republikën e Shqipërisë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zinxhirin e mbështetjes globale dhe në të njëjtën kohë vepron si një nxitës i mirë për ekonominë e jugut të vendit dhe për Shqipërinë në përgjithësi. Krijohet një hapësirë e konsiderueshme për vende pune për shtetasit shqiptarë, edhe gjatë fazave të ndërtimit dhe bazat operative për një kohë të gjatë. Për qytetin e Vlorës në veçanti, zhvillimi i infrastrukturës së portit kryesor ofron mundësi direkte për punësim në fillim në fazat e ndërtimit derisa të kompletohet, ku mund të garantohen rreth 2.000 vende pune.