QSUT, mungojnë pajisjet për diagnostikimin e sëmundjeve
Shumë pajisje për diagnostikimin e sëmundjeve të pacientëve, herë kanë munguar plotësisht dhe herë nuk kanë funksionuar në Qendrën Spitalore Universitare, Nënë Tereza në kryeqytet. Edhe ata mjete diagnostikuese që gjenden në QSUT, janë të vjetruara dhe nuk funksionojnë normalisht për të justifikuar një shërbim shëndetësor bashkëkohor. Ndërkaq, shumë pacientë të QSUT, i kryejnë ekot e ndryshme nëpër klinika private me çmime tepër të larta dhe më pas rezultatet e tyre ia paraqesin mjekut përkatës.
Mjetet për diagnostikimin e sëmundjeve si, skaner, filma për rezonancën magnetike, mungojnë ose nuk funksionojnë në QSUT, për shumë arsye, të cilat lidhen me mungesën e zhvillimit të fondeve për të siguruar këto pajisje, defektet e ndryshme dhe të herëpashershme dhe mungesa e përgjegjësisë për organet kompetente për shërbimin spitalor në kryeqytet. Më konkretisht, pacientët vuajnë mungesën e ekzaminimeve ë kabinetin e rezonancës, shërbim ky që duhet të sigurohet falas nga shteti. Ky kabinet, i cili ka një rëndësi të veçantë për ekzaminimin e shumë sëmundjeve, nuk funksionon normalisht, sepse mundojnë filmat për kryerjen e rezonancës magnetike. Shumë pacientë të QSUT, të cilët duhet të bëjnë në mënyrë të domosdoshme rezonancën magnetike duhet të pajisen edhe me një film, i cili përmban në mënyrë të detajuar çrregullimet që mund të kenë ndodhur në trupin e pacientit. Përveç mungesës së pajisjeve dhe amortizimi i tyre, mungojnë edhe filmat, të cilët gjenden kudo në treg. Megjithatë, nuk vihet në dyshim rëndësia e këtyre mjeteve për jetën e pacientëve, por problemi shtrohet se shumë pacientë nuk i përballojnë dot me të ardhurat e tyre ekonomike, kryerjen e ekzaminimeve nëpër klinika private, ndërkohë, ligjërisht, këtë shërbim duhet ta marrin falas në shtet. Më i mprehtë paraqitet problemi, kur pacientët, për shkak të mosfunksionimit të mjeteve në QSUT, detyrohen të bëjnë eko të shtrirja për pjesën e kokës me kosto shumë të lartë, të cilat sipas specifikës kushtojnë deri në 30 mijë lekë.