E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfuzion nga Tripoli

Teksa ishte thënë më parë se ishte arrestuar i diktatorit Muamar Kadaf, Seif Al-Islam, i rishfaq mbrëmë në mediat ndërkombëtare nga një hotel në Tripoli, duke deklaruar se babai i tij ishte gjallë dhe ishte ende në kryeqytetin libian. 

"Jam këtu për të përgënjeshtruar", u deklaroi ai gazetarëve të sjellë me një autoblindë në rezidencën Bab Al-Aziziya, kompleksi rezsidencial i të atit. "Tripoli është nën kontrollin tonë. E gjithë bota të qetësohet. Gjithçka shkon mirë në Tripoli", bëri të ditur Seif al-Islam, 39 vjeç pretendenti kryesor për vazhdimin e pushtetit të të atit. Gjykata Penale Ndërkombëtare, CPI, ka lëshuar një mandatarresti kundër tij për krime kundër njerëzimit të kryera në Libi që prej 15 shkurtit, data kur shpërtheu rebelimi që u transformua në konflikt të armatosur.  Gjatë  natës duke u gdhirë dita e hënë, prokurori i CPI-së ka konfirmuar arrestimin e tij duke bërë të ditur se ka marrë "informacione konfidenciale".

Në kompleksin rezidencial, Seif al-Islam u prit nga dhjetëra simpatizantë të cilët mbanin në duar portretin e tij dhe të babait të tij si dhe flamuj libianë. Vëllai i tij Mohamed, për të cilin rebelimi ka njoftuar arrestimin dje, arriti të shpëtonte, bëri të ditur gjatë natës një zyrtar i lartë i rebelëve në Benghazi, bastion i tyre në lindje të vendit. Rebelët filluan një ofensivë të shtunën në mbrëmje në Tripoli, të mbështetur nga luftëtarë të ardhur nga deti që nga enklava e Misratës, 214 kilometra në lindje të kryeqytetit dhe, duke filluar nga e diela, nga luftëtarë të ardhur nga perëndimi, të cilët hynë në kryeqytet praktikisht pa rezistencë nga forcat pro-Kadafi.

Përleshje të shumta ndodhën dje gjatë gjithë ditës në disa lagje të qendrës së qytetit, sipas disa dëshmitarëve të cilët folën për praninë e snajperëve pro-regjim të fshehur në çatitë e ndërtesave. Rebelët morën kontrollin e televizionit shtetëror që ndërpreu transmetimin. Rebelët presin t'u vijnë mijëra luftëtarë nga rajone të tjera të vendit si përforcime.

Ata ngurrojnë lidhur me mënyrën si të përparojnë: me shpejtësi në bulevardet e mëdha të ekspozuara ndaj snajperëve, apo ngadalë nëpër labirintet e rrugicave pa e ditur se kush i pret në kthesë. Më tepër se gjashtë muaj pas fillimit të kryengritjes në mes të shkurtit në Libi, komuniteti ndërkombëtar theksoi dje se regjimi libian "ka marrë fund". Ka filluar një periudhë pasigurie në këtë vend të pasur me naftë.

Kreu i OKB-së,  Ban Ki-moon thërriti një samit për Libinë këtë javë, Grupi i Kontaktit do të mblidhet të enjten në Stamboll dhe një samit i Këshillit të paqes dhe sigurisë të Bashkimit  Afrikan parashikohet të premten në Adis Abeba.  Pasi është betuar se do të vazhdojë të rezistojë, lideri libian, sipas një burimi diplomatik, ndodhet ende në Bab Al-Aziziya, ku janë zhvilluar luftime të ashpra sidomos dje në mëngjes. Rebelët e enklavës bregdetare Misrata njoftuan se kanë kapur dje një kolonë me ushtarakë pro-Kadafi të ardhur nga Syrte, bastion i regjimit dhe qyteti i lindjes së liderit libian.

 Dje, shefi i CNT-së konfirmoi se beteja për Tripolin nuk ka përfunduar ende. "Epoka e Kadafit ka marrë fund, por nuk mund të themi se e kontrollojmë Tripolin", deklaroi ai."Disa përleshje që po zhvillohen në Bab al-Aziziya dhe në disa zona përreth nuk janë ende nën kontrollin tonë dhe si pasojë nuk e dimë nëse Kadafi ndodhet atje", shtoi ai. "Shpresojmë që Muamar Kadafi të kapet i gjallë që të zhvillohet një proces i drejtë kundër tij". /Start/

                                                                                             2011-08-23 09:37
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›