E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontingjenti i 10-të Paqeruajtës niset për në Bosnjë

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm komandanti i Brigadës Logjistike, gjeneral brigade Syrja Gjoka, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të Zyrës së CUBIC në Ministrinë e Mbrojtjes, familjarë dhe të afërm të ushtarakëve që nisen me mision etj. Komandanti i Brigadës Logjistike, gjeneral brigade Syrja Gjoka, theksoi se ndjehemi krenar që përcjellim sot Kontingjentin e 10-të Paqeruajtës të Qendrës së Asgjësimit të Municioneve dhe Eksplozivave për në Misionin “ALTHEA” në Bosnjë Hercegovinë.

Nëntë kontingjentet e mëparshëm kanë kryer me profesionalizëm dhe përkushtim të gjitha detyrat e ngarkuara, duke marr vlerësimet maksimale të komandantëve të EUFOR-it dhe personaliteteve të tjera të NATO-s e BE-së. Duke iu drejtuar trupave të Kontingjentit të 10-të, gjeneral brigade Gjoka u shpreh: “Ne kemi besim tek profesionalizmi dhe përgatitja juaj.

Angazhimi juaj në këtë mision do të jetë një kontribut i shtuar dhe me vlerë që FA Shqiptare japin në kuadër të EUFOR. Si komandant i juaj, ju porosis të promovoni gjatë misionit vlerat më të larta të ushtarakut shqiptar. Kujdesuni për jetën tuaj dhe të partnerëve, kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë ne”. Në fund të ceremonisë gjeneral brigade Syrja Gjokë i dorëzoi Flamurin Kombëtar komandantit të Kontigjentit të 10-të, kapiten Klodian Tanushi.

Brigada Logjistike nëpërmjet Qendrës së Asgjesimit të Municioneve dhe Eksplozivave kontribuon në misionin “ALTHEA” në Bosnje-Hercegovinë që nga pranvera e vitit 2008. Misioni që kryejnë Forcat tona të  Armatosura në Bosnjë-Hercegovinë shënon të parin mision që kryhet me kapacitete të plota operacionale, financiare e logjistike. Kontigjenti i specialistëve të asgjesimit të eksplozivave dhe municioneve është në mbështetja të Shtabit të EUFOR-it dhe ndërrohet çdo gjashtë muaj.

Ky mision bëhet në kuadër të marrëveshjes që ka bërë Republika e Shqipërisë me Bashkimin Europian në maj të vitit 2005 për pjesëmarrje me trupa në operacionet ushtarake të BE-së në menaxhimin e krizës në Bosnje-Hercegovinë. Kontigjenti i 10-të që do të marrë pjesë në misionin “ALTHEA” do të zëvëndësojë Kontigjentin e 9-të që po kryen misionin që nga muaji mars i këtij viti. Detyrat kryesore që do të kryejnë trupat e këtij kontigjenti janë: planifikimi dhe drejtimi i operacioneve të çminimit në mbështetje të detyrave kryesore të trupave të EUFOR-it; asgjësimi dhe neutralizimi i minave, municioneve të paplasura apo municioneve të improvizuara nga zona të rrezikshme në zona të sigurta; asistimi në sistemimin, seleksionimin, lëvizjen dhe asgjësimin e municioneve nga depot e ndryshme, etj. /Start/

                                                                                             2012-09-14 14:05
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›