E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konventa, OK bashkëqeverisjes

08/07/2009  LSI-ja mbledh forumin më të lartë vendimmarrës. Kundërshtojnë Xhufi e Klosi

Meta mandatohet për të negociuar me Berishën për koalicionin qeverisës

Konventa Kombëtare e Jashtëzakonshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim votoi pro bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike. Kështu, ky forum mandatoi kreun e kësaj partie, Ilir Meta, të negociojë me homologun e tij demokrat për krijimin e këtij koalicioni qeverisës. Por, gjatë mbledhjes nuk munguan dhe zërat kundër një bashkëpunimi të tillë. Kundërshtuan, Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi dhe në formë oponencë, Sabit Brokaj preferoi të mos ishte pjesë e këtij takimi.

Kundërshtia

Lëvizja Socialiste për Integrim thirri dje në një mbledhje të parakohshme forumin e saj më të lartë vendimmarrës për të diskutuar e më pas për të vendosur mbi ftesën e ardhur nga Partia Demokratike për të qenë pjesë e qeverisjes së djathtë. Por nëse në parim një pjesë e drejtuesve të LSI-së ishin pro kësaj ftese, kishte dhe eksponentë të lartë të saj, të cilët nuk e mirëpritën një vendim të tillë. Kështu, nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, kundërshtoi hapur një bashkëqeverisje mes kësaj partie dhe PD-së. Sipas tij, vendimi ishte i nxituar dhe jo në kohën e duhur, për më tepër që nuk u mor parasysh mendimi i strukturave vendimmarrëse. Por nëse fjala e nënkryetarit Xhufi kaloi në qetësi nga pjesëmarrësit në sallë, fjalimi i anëtarit të kryesisë së LSI-së, Fatos Klosi, krijoi jo pak konfuzion dhe pakënaqësi mes radhëve. Pasi referuan dhe dhanë mendimin e tyre përfaqësues të lartë të LSI-së, Klosi preferoi që të shprehte mendimin e tij përballë anëtarëve të këtij forumi. Kështu, në gjykimin e tij Klosi e cilësoi si të pavend dhe jo të drejtë bashkëpunimin PD-LSI. Sipas tij, është e pamoralshme që LSI-ja të ndërmarrë një hap të tillë, kur përpara zgjedhjeve kërkoi votën për të rrëzuar Kryeministrin Berisha. Por fjala e tij krijoi për disa çaste tension në sallë dhe u desh ndërhyrja për disa herë me radhë e kreut Meta për të qetësuar atmosferën. Ndërkohë që në pamundësi të mbyllte të gjithë fjalën e tij Klosi zgjodhi t’i jepte fund asaj duke e vënë theksin në faktin se bashkëqeverisja është e gabuar. Por përballë këtij qëndrimi, Meta kërkoi nga Klosi se çfarë zgjidhje propozonte vetë ai. Në këtë mënyrë, Klosi propozoi një qeveri teknike, e cila për një vit ose më pak të punojë për hartimin e një kodi të ri dhe më pas të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Kundrejt këtij propozimi, Meta argumentoi se në pozitat e një qeverie teknike, jo vetëm që nuk do të kishte asgjë të mirë për zhvillimin e vendit, pasi një qeverisje e tillë nuk ndërmerr kurrfarë reforme, por dhe LSI sërish nuk do të ishte e favorizuar. Kjo për vetë faktin se në gjykimin e Metës, LSI-ja nuk do të kishte asnjë garanci se PD-PS do të hartonin një kod, i cili do të favorizonte këtë parti.

Vendimi

Konventa Kombëtare e LSI-së e bazoi vendimin e saj për bashkëqeverisje me PD në disa pika. Por ndërkohë nëse e gjithë anëtarësia e këtij forumi ishte pro këtij vendimi, nuk mungoi dhe një votë kundër e pikërisht ajo e nënkryetarit të LSI-së, Pëllumb Xhufi, dora e të cilit ishte e vetmja e ngritur kundër bashkëqeverisjes PD-LSI. Kështu një përfundim i tillë erdhi duke vlerësuar me përgjegjësi të lartë politike rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe nevojën për të krijuar një qeverisje me bazë të gjerë që t’u shërbejë gjithë shqiptarëve, me bindjen se, situata ekonomike dhe politike në vend kërkon evitimin e krizave politike apo të zgjedhjeve të reja të parakohshme. Njëkohësisht, me mirëkuptimin e përbashkët për t’u angazhuar dhe realizuar një proces reformimi real të sistemit institucional dhe zgjedhor për të konsoliduar demokracinë dhe shtetin e së drejtës, me përgjegjësinë e realizimit të detyrimeve kombëtare për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian, dhe veçanërisht realizimin e lëvizjes së lirë të shtetasve. Por dhe për të ndikuar pozitivisht në zbutjen e polarizimit ekstrem social si rezultat i politikës konfliktuale. Bazuar në këto pika, konventa vendosi të miratojë pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, si fituese e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, si dhe të mandatojë kryetarin e LSI, Ilir Meta, të negociojë me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, për krijimin e koalicionit qeverisës.

Oponenca në takim

Xhufi kundër bashkëqeverisjes me PD

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, u shpreh dje kundër një bashkëqeverisje me demokratët. Kështu, gjatë fjalës së tij në konventën kombëtare të jashtëzakonshme të kësaj partie, Xhufi nuk nguroi jo vetëm të jepte qëndrimin e tij dhe argumentet mbi të, por dhe të zbardhte faktin se nuk kishin munguar mesazhet kërcënuese lidhur me oponencën e tij, sa i takon koalicionit qeverisës mes PD-LSI. “Kam marrë ca mesazhe dhe kërcënuese për jetën që vijnë nga ana jonë. Unë dua të them se as blihem dhe as shitem. Këto mesazhe vijnë era raki me gjizë”, vuri në dukje Xhufi, lidhur me këtë çështje. Por ndalur në aleancën me PD, Xhufi nënvizoi se “jam nga ata që nuk më duket bashkëpunimi me Kryeministrin Berisha një tragjedi. Kam qenë shumë vite jashtë shtetit dhe njoh bashkëjetesa të tilla. Por për rastin tonë, mendoj se u dogjën kohët sepse kishim lënë që bashkëpunimin me koalicion ta diskutonim pas ankimimeve për zgjedhjet dhe të dilte rezultati përfundimtar”. Po në këtë linjë ai shtoi se “ne kemi një axhendë tonën afatgjatë dhe ne e kemi thënë që në çdo rezultat zgjedhor, LSI do të bëhej katalizator i së majtës. Mund të votojmë qeverinë dhe ligjet e saj, por jo të përfshiheshim në qeverinë e Berisha. Të paktën të kishim pritur që në selinë tonë të vinin partnerët e mëdhenj, ambasadori amerikan, ai i OSBE-së, i BE-së etj që të na kërkonin këtë bashkëpunim me qeverinë e djathtë”.

Kreu i LSI-së “bind” konventën

Meta: Koalicioni me PD-në, më i frytshëm se me PS-në

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shprehu përpara forumit më të lartë vendimmarrës të kësaj partie arsye se përse duhej një bashkëqeverisje me demokratët. Por ndërkohë gjatë ripërtëritjes së këtyre arsyeve, Meta në fjalën e mbajtur në Konventën Kombëtare të jashtëzakonshme nuk kurseu gjuhën kritike dhe akuzuese ndaj kreut socialist, Edi Rama. Në gjykimin e tij, marrëveshja mes Partisë Socialiste dhe LSI-së do të prodhonte vetëm krizë dhe do të çonte vendin në zgjedhje të tjera pas 2 muajsh. “Sipas gjykimit tim, por edhe të shumë kolegëve të tjerë, dy janë rrugët kryesore përmes së cilave duhet të ecë kjo lëvizje pas kësaj konvente. Rruga e krizës, pasi ju e dini shumë mirë se çdo marrëveshje PS-LSI pas zgjedhjeve sjell krizë dhe destabilitet”, vuri në dukje Meta, lidhur me këtë çështje. Njëkohësisht, kreu i LSI-së nuk harroi të ritheksonte dhe njëherë përpjekjet e partisë që ai drejton për të bashkëpunuar me Partinë Socialiste në mënyrë që të mos humbnin votat e të majtëve. Përpjekje që sipas tij dështuan. “Edhe një javë para zgjedhjeve e mora iniciativën duke u ngritur mbi problemet e së kaluarës me ish kreun e PS, Fatos Nanon për të rivendosur bashkëpunimin, sepse e parandjeva atë që mund të ndodhte, por kjo u refuzua. Rezultati elektoral është i tillë që e bën të pamundur një qeverisje PS-LSI”, nënvizoi Meta. Ndërkohë që ndalur në ftesën e ardhur nga PD për bashkëqeverisje, Meta u shpreh se “marrëveshja me PD-në është në funksion të integrimit të Shqipërisë dhe në të mirën e vendit”. Sipas tij, Kodi i ri Zgjedhor imponon koalicionet dhe koalicioni më i frytshëm është PD-LSI. “Nuk ishim ne hartues të Kodit Zgjedhor, ky kod imponon koalicion. Koalicioni më i frytshëm që mund të jetë për qeverisjen në vend është koalicioni PD-LSI, sepse garanton një qeverisje të qëndrueshme, por edhe një opozitë të fuqishme si ajo e Partisë Socialiste”, vlerësoi Meta. Njëkohësisht, kreu i LSI-së shprehu bindjen se dhe ajo pjesë e elektoratit, e cila nuk e ka mirëpritur një vendim të tillë do të ndryshojë mendim për pak kohë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›