E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, Gjykata pranon kërkesën e Dumkes

Gjykata e Korçës ka vendosur të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj autorit që masakroi 42- vjeçaren Liljana Arapi. Gjatë mesditës së sotme u zhvillua seanca e radhës në ngarkim të 78-vjeçarit Gaqo Dumka. Kryetari i trupit gjykues Admir Belishta ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar ndaj të pandehurit që rrezikon burgim të përjetshëm.

78-vjeçari Gaqo Dumka, autori i vrasjes makabre të 42- vjeçares Liliana Arapi është paraqitur i qetë edhe në këtë seancë në gjykatën e Korçës, megjithëse asnjë familjar nuk ishte i interesuar për atë, ashtu sikundër dhe për viktimën nga ana tjetër. Ngjarja makabre ka ndodhur disa muaj më parë në lagjen 4 të qytetit të Korçës.

Me një sopatë i moshuari vrau në gjumë gruan me të cilën bashkëjetonte prej 3 vjetësh, për ta coptuar atë me pas në dhjetra pjesë. Me qetësinë më të madhe ai ka mbështjellë pjesët e trupit të saj në qese të zeza plastike dhe i ka hedhur ato në vendin e mbetjeve urbane, rreth 1 kilometër larg Korçës. Kalimtarë të rastit kanë gjetur gjymtyrët e gruas dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila është vënë në kërkim të identifikimit të viktimës.

Pas disa ditë kërkimesh është bërë i qartë emri i viktimës duke konstatuar se ajo ishte Liljana Arapi nga qyteti i Bilishtit. Pas identifikimit të pjesëve të masakruara të trupit të mbetur, u ushtrua një kontroll në banesën e Dumkës. Gjithë tabloja në banesën e të moshuarit fliste për ngjarjen e ndodhur. Gjurmët e gjakut dalloheshin kudo deri edhe në pandoflat e të moshuarit. Edhe pse koka e 42-vjeçares nuk u gjend asnjëherë, trupi i saj u varros në Bilisht nga familjarët e saj. Seanca e radhës do të zhvillohet javën e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›