E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, shitet varri me eshtrat e 4 të vdekurve

09/10/2009  Skandali zbulohet nga dy të afërmet e tyre: Varrosën të tjerë përmbi, çështja në gjyq

KORÇE- Shitet varri me eshtrat e 4 të vdekurve brenda. Ngjarja ka ndodhur në varrezat publike në Korçë. Dy motra të moshuara kanë shkuar tek varret e të afërmeve të tyre dhe për çudi varrin e tyre e kanë gjetur të tjetërsuar. Ndërmarrja që menaxhonte varrezat kishte varrosur një person tjetër që nuk ka asnjë lidhje gjaku apo farefisnie me njerëzit e tyre. Se çfarë ka ndodhur me eshtrat e katër personave të familjes së tyre që preheshin në atë varr nuk dihet.

Ngjarja

Skandali nuk është bërë publik, për të mos krijuar panik tek banorët e Korçës. Qytetarja M. Kristo tregon për dhunimin e varrit. “Këtu në parcelën numër 5 ne kemi 6 varret e të gjithë fisit. Janë vendosur sipas familjeve njëra pas tjetrës. I kanë sjellë prindërit tanë në 1965, kur u shpërngulën varret nga vendi i tyre i parë. Në varrin që na është dhunuar kishim eshtrat e katër njerëzve tanë: të gjyshit Niko Nikolla, gjyshes Limjadha dhe dy tetove tona. Tek varri ngjitur kemi varrosur babanë dhe nënën, në anën tjetër është varrosur vëllai i babait me të shoqen dhe një djalë e kështu me radhë. Pikërisht në varrin e gjyshit është varrosur qytetari K. M. që është i huaj për familjen dhe fisin tonë. Po ajo që na shqetëson më shumë është dhunimi i eshtrave. U ankuam për çka ka ndodhur tek ish përgjegjësi i varreve Gjergji Gulimaçi, por ai nuk na dha asnjë sqarim. Pretendonte se ai varr u gjet bosh, duke na hequr kështu çdo mundësi për t’i gjetur ato. Më vonë mësuam se Gulimaçi, ishte personi që kishte urdhëruar hapjen e tij për t’i bërë nder një njeriu të veshur me pushtet. Kur ia thamë këtë dhe kërkuam ballafaqim, na fyeu dhe na kërcënoi me hedhje në gjyq, nëse do të vazhdonim sipas tij të shpifnim apo kërkonim sqarime në Drejtorinë e Ndërmarrjes së Shërbimit Publik apo në Bashki”. Mësohet se varri i dhunuar ishte varr i vjetër, i pahapur prej afro 45 vjetësh. Tek kryet kishte një kryq me emrat e të vdekurve dhe një gur. Kryqi është zhdukur, ndërsa guri që nuk dëshmonte gjë është lënë aty. Në varrezat publike të Korçës ruhen edhe librat e vjetër të të vdekurve, deri edhe të ndarë nëpër parcela.

Fshirja nga libri

Ankesa e familjes së mësipërme ka shërbyer për t’i paralajmëruar ata që dhunuan varrin, për të zhdukur emrin e Niko Nikollës e të tjerëve. Aktualisht në këto lista ky emër nuk ekziston, por ka shumë gjurmë që tregojnë se mbi këto lista është vënë dorë e janë bërë retushime. Familjarët kanë biseduar edhe me varrmihësit, të cilët kanë deklaruar se kishin gjetur shumë eshtra kur hapën varrin dhe i kanë mbuluar me pllakat e betonit që shtrohen nën arkivolin e të vdekurit të ri. Këtë dëshmi ata tani që plasi skandali kanë filluar ta mohojnë sepse kanë frikë se mos i pushojnë nga puna. Familjarët, që bëjnë publik skandalin hedhin dyshimin se është marrë ryshfet për të dhunuar varrin e të parëve të tyre. Ata kërkojnë zhvarrimin e njeriut që është vendosur mes varreve të tyre. Janë të ndërgjegjshëm që është një veprim jo normal, por janë të detyruar ta bëjnë në kërkim të eshtrave të të parëve të tyre që mendojnë se mund të jenë dëmtuar apo fshehur nën tokë. Aktualisht varrezat publike administrohen nga firma “Korsel”. Përgjegjësi i ri Koli Pacili është njohur me ankesën e familjes Kristo, dhe shprehet se është i pafuqishëm të ndërhyjë. “Kjo çështje zgjidhet vetëm me gjyq!” , ju ka thënë ai ankuesve. - Nëse gjykata vërteton se ju është dhunuar varri e merr vendim për të kryer zhvarrimin, unë veproj në zbatim të vendimit të gjykatës”. Të moshuarat deklarojnë se presin që të kthehen djemtë e burrat e fisit nga emigracioni për të hedhur në gjyq autorët e dhunimit të varrit. ....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›