Kosova dhe Serbia nisin luftën e arrestimeve

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç
Policia e Kosovës arreston në kufi 4 serbë, transportonin material zgjedhor.
Serbët arrestojnë dy shqiptarë, njëri, kreu i industrialistëve.
Mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur lufta e arrestimeve, ndërsa ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, është zotuar për reciprocitet pas arrestimit të katër serbëve. Policia e Kosovës arrestoi dje 4 serbë nga komuna e Vitisë, ku funksionojnë strukturat paralele serbe. Katër personat e arrestuar po transferonin material zgjedhor, i cili do të përdorej për zgjedhjet ilegale të Serbisë në Kosovë. Arrestimi i katër personave u krye në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, në rajonin e Gjilanit. Të gjithë të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh. Qeveria dhe Policia e Kosovës e kanë deklaruar shumë shpesh dhe prerë se nuk kanë për të lejuar askënd të mbajë zgjedhje në territorin e tyre. Ndërsa shumë zyrtarë serbë janë përmbajtur nga komentet e drejtpërdrejta, duke ia lënë përgjegjësinë UNMIK-ut, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, ka theksuar se zgjedhjet serbe do të mbahen, madje ai ka refuzuar çdo kërkesë të BE-së për tiu kthyer pas në këtë pikë. Ishte Daçiç ai që reagoi mbi arrestimin e katër serbëve, duke u kundërpërgjigjur menjëherë me arrestimin dy shqiptarëve. Ata u ndaluan mëngjesin e djeshëm në Konçul, Dheu i Bardhë. Të arrestuarit janë Hasan Abazi, kryetar i Sindikatës së Industrialistëve të Kosovës, i cili ishte nisur për në Kroaci dhe Adem Murseli. Abazi është arrestuar, sipas Daçiçit, nën dyshimet për spiunazh, kurse Murseli për tregti me drogë sipas drejtorisë së Policisë në Beograd. Nëse dikush dëshiron të bëjë gara, kemi edhe ne përgjigjen tonë. Është e turpshme se çfarë toleron komuniteti ndërkombëtar, është turp të arrestohen njerëzit, të cilët nuk kanë bërë asnjë vepër penale dhe tani shtrohet pyetja si janë duke u zbatuar në fakt marrëveshjet e arritura, tha Daçiç para gazetarëve në Beograd.
Kërkesa e PE
Parlamenti Europian dje në mesditë nisi diskutimin për fusnotën e Kosovës. Sipas eurodeputetëve, Serbia duhet të pranojë sfidat me qëllim arritjen e integrimit të këtij shteti drejt BE-së. Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, theksoi se Serbia duhet të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani me Kosovën dhe të angazhohet në dialog pas zgjedhjeve.
Kurti: Rrisni presionin
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kërkuar që Bashkimi Europian ti bëjë më tepër presion Serbisë, pasi mënyra se si po i trajton ky vend aktualisht, nuk po bën efekt. Komentet e Kurtit u bënë të mërkurën në Prishtinë, gjatë një takimi me nëndrejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë për Zgjerimin në Komisionin Europian, Xhast Korte. Të dyja palët kanë rënë dakord se për të gjitha qëndrimet është e dobishme të vazhdojnë debatet e diskutimet edhe në të ardhmen.