E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Anëtarësimi është hapi i parë, nevojitet më shumë angazhim

24/02/2009  Ndërkombëtarët nënvizojnë rëndësinë e vazhdimit të reformave të rëndësishme

Detyrat dhe përgjegjësitë e Shqipërisë për reforma nuk përfundojnë me anëtarësimin e vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) - ky është mesazhi i qartë që ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers, i ka dhënë politikës shqiptare gjatë konferencës “Karta e Adriatikut: Integrimi euroatlantik dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor”. Sipas tij, ky është hapi i parë tepër i rëndësishëm, por të tjerë duhet të ndjekin atë në arritjen e standardeve më të larta demokratike. “Anëtarësimi në NATO është fillimi. Është një hap drejt arritjes së një pragu të pakthyeshëm përparimi demokratik, që të gjithë e kërkojmë në botë. Ne presim që Shqipëria dhe Kroacia të vazhdojnë të rritin ritmin e reformave të tyre demokratike, ekonomike dhe ushtarake, në mënyrë që të mund të japin kontributin më efektiv të mundshëm për këtë aleancë historike”, - ka deklaruar ambasadori Uidhers. Sipas tij, NATO-ja nuk është vetëm një aleancë kundër kërcënimeve ushtarake, por edhe shtëpia e vlerave të përbashkëta politike dhe demokratike, respektit për të drejtat e njeriut dhe të sundimit të ligjit. “Këto vlera përkufizojnë NATO-n po aq sa dhe siguria e përbashkët kundrejt kërcënimeve të jashtme ushtarake. Anëtarësimi në NATO do të shënojë një faqe të re në historinë e Ballkanit, por puna për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë nuk ka përfunduar”, - nënvizoi përfaqësuesi zyrtar i Uashingtonit në Tiranë. Nga ana e tij sekretari i përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, David Hobs, ka deklaruar se zgjerimi i Aleancës në samitin e prillit do të bëhet mbi bazën e rezultateve të secilit vend që aspiron këtë integrim. “Ne kemi thënë gjithmonë se zgjerimi i NATO-s nuk është kërcënues për askënd, por është një vlerë shtesë për sigurinë. Nga ana tjetër, ne kemi theksuar se zgjerimi duhet të bëhet mbi bazën e arritjeve dhe jo thjesht të një aspirate për t’u integruar”, - tha Hobs. Zyrtari i lartë i Asamblesë Parlamentare të NATO-s e vuri theksin në rolin e rëndësishëm që luan institucioni që përfaqëson, si udhëheqëse e zgjerimit të Aleancës. Lidhur me Kartën e Adriatikut Hobs vuri në dukje se Shqipëria, Kroacia, Maqedonia dhe tashmë Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina janë të përkushtuara për forcimin e institucioneve demokratike, për shoqërinë civile, për shtetin e së drejtës dhe për ekonominë e tregut. “Të gjitha këto vende janë të vendosura që të luftojnë korrupsionin dhe të mbrojnë të drejtat e njeriut. Po ashtu nënshkruesit e kësaj karte flasin për një bashkëpunim ekonomik me njëri-tjetrin”, - theksoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›