E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë/ Giffoni premton forcimin e pranisë së BE-së në veri

Ambasadori i Republikës së Italisë në Prishtinë, Michael Giffoni, në një takim me presidentin Fatmir Sejdiu, shprehu sot përkushtimin për detyrën që ka marrë si koordinator politik i BE-së në forcimin e rolit të BE-së në veriun e Kosovës, si pjesë e mbështetjes së përgjithshme të BE-së për Kosovën dhe proceset e saj, bën të ditur presidenca kosovare.
Sejdiu vlerësoi lart mbështetjen që Republika e Italisë po i jep Kosovës në vazhdimësi.
Ai falenderoi Giffonin për angazhimin e vazhdueshëm të BE-së për Kosovën dhe shprehu vullnetin e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm me BE-në.
Sejdiu kërkoi nga ambasadori italian që të shfrytëzonte influencën e tij për të siguruar pjesëmarrjen aktive të qytetarëve serbë të komunave të veriut të Kosovës në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.
Media kosovare theksonte sot se "Giffoni do të përqendrohet në tri drejtime për të forcuar praninë e Bashkimit Europian në pjesën veriore të Kosovës, ku liderë të serbëve vendorë vazhdojnë të sfidojnë autoritetin e institucioneve kosovare".
"Rruga e parë është lehtësimi i vendosjes së një pranie efektive në pjesën veriore të të gjitha misioneve dhe institucioneve të BE-së në Kosovë dhe e dyta do të jetë koordinimi i aksioneve të BE-së në situata krize në veri të vendit dhe e treta promovimi i vlerave dhe pikëpamjeve të
BE-së për Kosovën te popullata serbe", thotë ambasadori italian për një gazetë të Prishtinës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›