E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, serbët në veri bojkotuan zgjedhjet

Serbët në veri të Kosovës kanë bojkotuar zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë. Lajmi është bërë i ditur nga KQZ-ja e cila ka njoftuar se asnjë qytetar serb në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq nuk ka votuar, duke iu bindur kështu thirrjeve të qeverisë dhe kishës serbe për bojkot. Ekipe lëvizëse kanë qenë të pranishme në këtë pjesë të Kosovës për të mundësuar procesin e votimit. Kjo pasi banorët lokalë serbë nuk lejuan hapjen e qendrave të votimit në shkolla. Në Kosovën Qëndrore dhe në atë Lindore pjesëmarrja e serbëve ka qenë më e lartë se sa në zgjedhjet e mëparshme. Në tri komunat e reja me shumicë serbe, në Graçanicë dalja e votuesve ka shkuar në mbi 23 përqind, në Ranillugë afër 14 përqind ndërsa në Kllokot rreth 25 përqind. Një nga kandidatët serbë për kryetar komune në rajonin me shumicë serbe të Graçanicës, Momçillo Trajkoviq, tha se votimi përbënte një "udhëkryq për serbët e Kosovës." "Ne besojmë se pjesëmarrja në zgjedhje është e keqja më e vogël, dhe është e mundur që kjo e keqe më e vogël të kthehet në diçka të mirë," tha Trajkoviq, që është kryetar i Lëvizjes Serbe të Rezistencës. Rreth 1,5 milion shtetas me të drejtë vote kanë patur mundësi të votojnë për kryetarët e 36 komunave dhe anëtarët e asambleve komunale, mandati i të cilëve këtë herë do të zgjasë katër vjet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›