Kosta: Rrëzimi i emrit tim, ndoshta sfidë mes Presidencës dhe Kuvendit
Kandidati për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, Vangjel Kosta, duket se nuk e ka pritur aspak mirë votën kundër të mazhorancës për emrin e tij. Në një intervistë për “Shqip”, ai thotë se ndoshta ky vendim ka ardhur si sfidë mes personave që ushtrojnë pushtet, midis Presidentit dhe Kuvendit.
Zoti Kosta, si e morët vesh rrëzimin e kandidaturës suaj nga Kuvendi dy ditë më parë?
Vetëm mbrëmë, nga lajmet, kam marrë informacion se kishte një vendim politik të grupit parlamentar të PD-së që të rrëzonte dekretin e Presidentit Topi në lidhje me kandidimin tim në Gjykatën Kushtetuese. Natyrisht marrja e një vendimi politik krijonte dyshime se cilat ishin arsyet. Nga mediat po kështu u informova në lidhje me një numër vendimesh gjyqësore të dhëna gjatë kohës që kam qenë gjyqtar në Shkallën e Parë në Durrës, të cilat kanë shërbyer si shkak për të më paraqitur si të papërshtatshëm moralisht për funksionin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Po kështu, dua të theksoj se gjatë seancës së pyetjeve në Komisionin e Ligjeve jam ndier shumë komod. Kjo sepse kam pasur mundësinë që përpara qershorit të vitit të kaluar, kur opozita dhe pozita krijuan konsensusin e madh për ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor, kam qenë një nga ekspertët e thirrur me konsensus nga palët. Jam ndier shumë mirë që në komision për këtë çështje jam thirrur si specialist i gjyqësorit, si një person që ka përvojë të gjatë në marrëdhëniet me gjyqësorit. Kur m’u bë pyetja nëse kam gjykuar apo jo çështje politike gjatë karrierës sime përpara vitit 1990 në komision, përgjigjja ime ishte negative. Në fakt, sipas mediave, del se për shkak të gjyqeve politike, jam skualifikuar.
Këto gjyqe a quhen politike?
I qëndroj përgjigjes që kam dhënë në Komisionin e Ligjeve, sipas së cilës nuk kam zhvilluar gjyqe politike. Sepse po t’i shohësh vendimet për të cilat jam skualifikuar, një pjesë e tyre flasin për akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit. Kjo është një akuzë e cila është edhe sot, e ka çdo shtet dhe ka të bëjë me rregullshmërinë e kufirit. Për më tepër, kjo është një akuzë e cila parashikon dënime të buta. Madje kam marrë guximin që rreth vitit ‘90 këtyre personave t’ju jap dënime më të ulëta se limiti që parashikonte ligji dhe në atë kohë, kam marrë kritika si një person, i cili ishte tolerant ndaj veprimeve të tilla. I bie atëherë që kudo që është punuar në kohën e diktaturës, kur ke respektuar ligjin, ke ndihmuar diktaturën. Me këtë lloj logjike mund të përjashtojmë nga pjesëmarrja aktive në jetën shoqërore çdo person që ka qenë aktiv në shoqërinë e para viteve ‘90. Po kështu, si gjyqe politike konsideroheshin ato për dënimin e atyre që ishin larguar pa leje nga vendi i internimit. Këtu kam përshtypjen se ka një ngatërresë të madhe, sepse unë nuk kam vendosur për internimin e personave, por kam gjykuar personat që kanë shkelur regjimin që duhet të plotësonin gjatë kohës që ishin të internuar. Në këtë kuadër dënimet kanë qenë shumë të zbutura, sepse e tillë ka qenë edhe vepra. Kështu këto vendime e dënonin dikë me ndalimin e pagës ose një person ndryshonte vetëm brigadën ku punonte. Dua të vërej se këto vendime nuk m’u komunikuan në Komisionin e Ligjeve, në mënyrë që të jepja këto shpjegime që po jap. Në mënyrë këtë, do të kisha pasur mundësinë të shpjegoja rrethanat dhe detajet e vendimeve, sepse në fund të fundit prandaj bëhet një seancë dëgjimore në Kuvend. Po kështu më ka bërë përshtypje së është bërë një lloj kërkimi i njëanshëm i karrierës sime profesionale në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës. Mund të them se në atë kohë kam dhënë edhe vendime kurajoze pafajësie ndaj njerëzve të cilët shiheshin si rebelë gjatë regjimit dhe më vonë një jetë aktive politike në fillimet e sistemit demokratik në vend.
A mendoni se ka një arsye tjetër nga ajo e deklaruar?
Mungesa e një përvoje të pastabilizuar mirë por edhe mungesa e një ligji që mund ta rregullonte më mirë këtë lloj marrëdhënie bën që shpesh të shihet si marrëdhënie sfide mes personave që ushtojnë pushtet midis Presidentit dhe Kuvendit. Në këtë kontekst nuk përjashtohet mundësia që të jem një refuzim për shkak të raporteve që kërkojnë dy institucionet nëpërmjet tyre, ku Kuvendi duhet të tregojë se ka pushtet real në këtë përzgjedhje. Këto lloj rastesh e refuzimesh mbase po tregojnë nevojën që shoqëria të jetë më aktive dhe më kërkuese ndaj Kuvendit, i cili duhet ta reflektojë këtë proces me ligj të posaçëm me të cilin të rregullojë kriteret më të rëndësishme mbi procedurat që Presidenti duhet të dekretojë.
#