PS mbylli grevën, sepse dështoi
Greva e opozitës u mbyll sepse dështoi. Ky ishte qëndrimi që mbajti dje deputeti demokrat, Tritan Shehu, në një prononcim për mediat. “Greva u mbyll se dështoi. Duke qenë pjesë e një strategjie prej disa muajsh, lidershipi i lartë i PS ka ndërmarrë në partinë e tyre për të krijuar një situatë destabilizimi. Por nuk është vetëm greva, mua më duket se dështoi e gjithë strategjia e ngritur nga lidershipi i PS në këtë periudhë”, u shpreh deputeti i PD-së, Shehu. Nga ana tjetër në lidhje me darkën e negociatave në Strasburg mes Ramës dhe Berishës, deputeti Tritan Shehu u shpreh se kryesocialisti ishte i vetmi i humbur nga gjithë kjo histori bojkoti, protestash e grevash. Ndërsa në kushtet kur ende nuk ka një zgjidhje mes palëve Shehu thotë se zgjidhja vjen vetëm nëse kryetari i socialistëve të trokasë në derën e duhur. “Nëse Kryeministrit i kërkohet diçka që nuk varet nga ai, nëse mazhorancës i kërkohet diçka që nuk varet nga ai, pa dyshim këtu problemi nuk është i mazhorancës por i atyre që trokasin në derën e gabuar dhe mendoj se ata duhet të orientohen drejt dhe të trokasin në derën e nevojshme dhe që është sistemi i drejtësisë”, deklaroi deputeti demokrat.
#